PD: Kunatat e qeverisë Rama, emërohen në dogana
Partia Demokratike ka akuzuar sot qeverinë Rama se po ozurpon institucionet me rrjetin e saj nepotik. Zëdhënësja e selisë blu, Silvi Bardhi, duke ju referuar emërimeve të fundit në Drejtorinë e doganave, deklaroi se dogana e Tiranës është kthyer në drejtorinë e kunatave.“Rrjeti nepotik i qeveritarëve po shtrihet çdo ditë e më shumë.Po ju japim sot disa fakte për fatin e lumtur të kunatave dhe familjareve të ministrave të Edi Ramës. Në doganën e Tiranës, është emëruar së fundmi Eranda Cuci, kunata e Ilir Beqës, Ministër i Shëndetësisë. Në doganën e Tiranës është emëruar Safo Dauti, kunata e Ilirian Celibashit, Ministër i Marrëdhënieve me Parlamentin. Në doganën e Tiranës është emëruar së fundmi Adriana Hila, motra e Dritan Hilës, zëvendësministër i Mbrojtjes. Pra drejtoria e doganave të Tiranës është bërë drejtoria e kunatave të Tiranës” tha ajo.PD nuk ka kursyer dhe ironinë, duke njoftuar kunatat e tjera të qeverisë, të mos rrinë duarkryq, por të lëvizin se vendet po zihen.“Nuk presim që Rama e të tijtë të skuqen nga turpi, meqë kanë deklaruar publikisht se nuk ka nepotizëm në administratë, por po informojmë opinionin publik, për mënyrën e menaxhimit, për emërimet dhe për meritokracinë e kësaj qeveria. Njoftohen kunatat e tjera të qeverisë, të mos rrinë duarkryq, por të lëvizin se vendet po zihen” përfundoi Bardhi.