Ura e Bunës në Shkodër, elementët e hekurit i shkojnë për skrap
Fenomeni i grabitjes dhe shitjes se çdo elementi prej hekuri për skrap, tashmë nuk mund të ndalet më. Si të mos mjaftojë shkatërimi i hekurudhave, trafikndarëseve në autostrda, ky biznes tashmë po prek edhe urat shekullore, duke ju marrë çdo pjesë hekuri që ato kanë.Pre e grabitësve ka rënë edhe ura e Bunës në Shkodër, e cila ka një histori qindravjeçare të lidhur ngushtë me qytetin verior. Kjo nuk është hera e parë që ndodh ky fenomen për të cilin askush nuk është interesuar nga organet kompetente për ta ndalur.Tashmë më shumë se një urë, ky objekt qindravjeçar ka mbetur si relike e trashëgimisë kulturore të qytetit. Ndërkohë,mësohet se drejtuesit e Bashkisë së Shkodrës u kanë kërkuar institucioneve përgjegjëse që kanë në varësi urën e Bunës, që të ndërhyjnë sa më shpejt për të riparuar dëmtimet dhe të merren masa për ta mbrojtur nga grabitësit e skrapit.Pas ndërtimit të urës së re, kjo vepër publike është lënë disi në harresë, pasi prej disa vitesh nuk ka pasur asnjë investim. Bashkia e Shkodrës kishte planifikuar ta përfshinte urën e vjetër të Bunës në një shëtitore dhe pikërisht për këtë arsye u vendos që kjo urë të mbyllej për qarkullimin e mjeteve.