Rama me zyrtarin amerikan: Me SHBA në çdo front, brenda e jashtë

Me SHBA ne çdo front, brenda dhe jashte. Këtë garanci i ka dhënë kryeministri Edi Rama, zv/ndihmës Sekretarit te Shtetit amerikan Hoyt Brian Yee, ndërsa e priti ata në një takim në Kryeministri.“Ndër pikat ku politika shqiptare nuk ndahet, miqësia e partneriteti me SHBA dhe aleancat në krah të SHBA, janë e do të mbeten një pikë kryesore. Ndërsa kjo qeveri përkatësinë e Shqipërisë në këtë miqësi, partneritet e aleancë të pandashme, e lexon edhe si detyrim për t’u udhëhequr edhe në qeverisjen e vendit tonë nga vlerat e parimet që SHBA mishërojnë e promovojnë si një shembull i shkëlqyer lirie, demokracie, prosperiteti të bazuar në respektin për individin e në konkurencën e lire” theksoi Rama.Më tej, Kryeministri Rama e njohu z. Yee me programin dhe prioritetet e qeverisë shqiptare, me theks të veçantë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kryeministri u ndal edhe në operacionin më të fundit të Policisë së Shtetit për bllokimin e lojërave të fatit që ushtronin aktivitetin në mënyrë të paligjshme.Yee e falënderoi kryeministrin Rama për mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 2118 mbi Sirinë, duke mbështetur kërkesën e komunitetit ndërkombëtar për të vënë para përgjegjësisë regjimin e Assad-it.Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet e Evropës dhe EuroAzisë, e siguroi Kryeministrin për mbështetjen e SHBA-së në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian dhe mirëpriti progres raportin e Komisionit Evropian që rekomandon statusin e vendit kandidat për Shqipërinë.Gjatë qëndrimit në Shqipëri, Zëvendës-Ndihmës/Sekretarit të Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Hoyt Yee është takuar me Presidentin Nishani, kryeparlamentarin Ilir Meta, Ministrin e Jashtëm Bushati dhe kreun e opozitës Lulzim Basha.