Takimi ndërparlamentar PE-Kosovë, Kukan: Krimi dhe korrupsioni duhet të çrrënjosen
Në Prishtinë, filloi sot takimi i gjashtë ndërparlamentar ndërmjet Kosovës dhe Parlamentit Evropian. Në takimin i cili do të zgjasë dy ditë, pritet të diskutohet mbi përparimin e Kosovës drejt integrimeve evropiane si dhe procesin e përmbushjes së reformave të domosdoshme për këtë rrugëtim.Në hapje të këtij takimi, kryetari i delegacionit të Parlamentit Evropian për Ballkanin, Eduard Kukan tha se “në periudhën e fundit në Kosovë ka pasur zhvillime pozitive duke nisur nga bisedimet me Beogradin, përparime në agjendën evropiane dhe disa vendime të rëndësishme të marra në punët e brendshme”. Ai u bëri thirrje autoriteteve vendase që të mos i lëshojnë këto raste dhe t’i shfrytëzojnë ato për të ecur përpara, ndërsa u përkujtoi atyre se ende ka shumë punë për të bërë duke nisur nga përmbushja e reformave në sundimin e rendit dhe ligjit, si një nga reformat kryesore që Kosova duhet të nisë.Zoti Kukan tha se një sfidë tjetër e rëndësishme është mbajtja e zgjedhjeve të tre nëntorit, duke u bërë thirrje autoriteteve që të garantojnë qytetarët për të zgjedhur në mënyrë të lirë për kandidatët e tyre.Gjatë këtyre dy ditëve pritet të diskutohet edhe për reformat e sistemit zgjedhor dhe zgjedhjet e ardhshme lokale, forcimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër dukurive negative, procesin e liberalizimit të vizave dhe bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.Ky takim ndodh dy ditë pas nisjes së negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit në mes të Kosovës dhe Bashkimi Evropian.