Kriza, Papulias: Populli grek e dha ç’kishte për të dhënë
Populli grek e dha ç’kishte për të dhënë për t’u kapërcyer kriza, dhe nuk mund të japë diçka më shumë, por as do t’u nënshtrohet shantazheve”. Ky ishte mesazhi që presidenti grek Karolos Papulias u ka dërguar partnerëve europianë të cilët kërkojnë masa të tjera që vendi të dalë nga kriza e borxheve.Deklarata e kreut të shtetit grek u bë pas përfundimit të paradës ushtarake në Selanik, për Festën Kombëtare të 28 Tetorit ku presidenti solli gjithashtu në kujtesë gjakun që ka dhënë Greqia në luftën kundër fashizmit në 1940, dhe vuri në dukje se Europa sot nuk mund ta harrojë këtë.“Kremtojmë sot një ditë të madhe, një ditë të shënuar. Nderojmë të rënët e kësaj beteje të madhe të popullit grek kundër kolerës së fashizmit, të fashizmit italian të 1940-s. Ishte fitorja e parë antifashiste e Europës së atëhershme, që po flinte brenda kompromisit të Mynihut të 1938-s. Greqia ishte në opararojë të luftimeve, siç ka qenë gjithmonë në pararojë të të gjitha luftrave për liri dhe idealet njerëzore. Këtë nuk duhet ta harrojë Europa e sotme. Populli grek dha atëherë gjakun e vet dhe gjithçka tjetër mund të jepte; dhe sot e dha atë që mundte për të dalë nga kriza. Dhe kjo duhet të vlerësohet nga Europa. Nuk mundet populli grek të japë diçka më shumë. Atë që duhej të jepte e dha. Dhe mos të kujtojnë se do të ketë gjasa t’u nënshtrohemi shantazheve. Kurrë populli grek nuk iu nënshtrua shnatazheve” theksoi ai.Së fundmi ekzekutivi helenas ka vënë në vështirësi raportet edhe me Trojkën e Bashkimit Evropian, BQE-së dhe FMN-së, për shkak të masave anti-krizë që i kërkohen të zbatojë.Kjo bëri që një ditë më parë delegacioni ndërkombëtar të shtynte për më 4 nëntor vizitën e planifikuar në Athinë. Trojka kërkon masa të reja për të rekuperuar dy miliardë euro për shkak të kalimit të tavanit të shpenzimeve publike.Gjithashtu, kreditorët kërkojnë që të reduktohen pasojat e gropës që do të krijohet për aplikimin e taksës unike mbi pronat e tundshme.