Pantic kërcënon: Material zgjedhor neutral, ose bojkotojmë zgjedhjet
Nëse materiali zgjedhor nuk do të jetë neutral dhe në të do të figurojë logo e Republikës së Kosovës, ne do t’i ftojmë qytetarët t’i bojkotojnë zgjedhjet, ndërsa përgjegjësinë për dështimin e këtyre zgjedhjeve do ta marrë bashkësia Ndërkombëtare, e cila nuk po i përmbahet marrëveshjes së Brukselit.Këto komente i ka bërë kandidati nga Iniciativa Qytetare ‘Srpska’ për kryetar të veriut të Mitrovicës, Kërstimir Pantic, gjatë një konference me gazetarë të dielën në veri të Mitrovicës.Ai ka thënë se do të insistojë tek të gjitha shtetet të cilat kanë ambasadat e tyre në Kosovë, para se gjithash tek shtetet e Quintit, që të ushtrojnë presion ndaj Prishtinës zyrtare në mënyrë që materiali zgjedhor në veri të jetë neutral dhe kjo të sigurohet deri më 3 nëntor, në të kundërtën serbët do t’i bojkotojnë zgjedhjet.Sipas tij, Prishtina nuk është duke respektuar marrëveshjet e arritura në Bruksel.“Këto janë fletëvotime të cilat dëshmojë pavarësinë e shtetit të Kosovës, për të cilat e kemi paralajmëruar Qeverinë e Serbisë dhe presim që Beogradi t’i drejtohet menjëherë Bashkësisë Ndërkombëtare dhe OSBE-së, që anëtarëve të kuvendeve zgjedhore t’u dërgohet materiali pa shenja të shtetësisë së Kosovës”, ka thënë Pantic.Ai ka ftuar edhe kandidatët tjerë për kryetar të veriut të Mitrovicës që t’i refuzojnë kontratat me llogo të Republikës së Kosovës.“Kemi deklaruar se deri më 3 nëntor do t’i durojmë të gjitha nënçmimet që vijnë nga Prishtina, por nuk do të lejojmë mos respektimin e marrëveshjes së Brukselit deri në atë masë, sa pas zgjedhjeve të thuhet se serbët e veriut kanë pranuar Republikën e Kosovës”, ka theksuar Pantic.Ndërkaq, Adriana Hoxhic, kandidate e pavarur për kryetare të veriut, ka thënë për Kosovapress se është absurde çështja nëse dikush konteston logot e Republikës së Kosovës në këto zgjedhje.“Nuk ka zgjedhje të një anshme. Është një lojë e keqe dhe jo korrekte ndaj qytetarëve nga njerëz të caktuar. Këto janë vendime të arritura në nivele më të larta, andaj njerëz lokalë nuk janë kompetentë të udhëheqin politika të larta”, ka thënë Hoxhic.