Koshtunica kundër Daçiç: Serbët të mos marrin pjesë në votime, po mashtrohen
Serbia vazhdon të njollosë zgjedhjet në kosovë. Mediat serbe kanë publikuar një deklaratë të ish- kryeministrit serb, Vojislav Koshtunica, në të cilën ai i cilëson zgjedhjet e 3 nëntorit në Kosovë si të rreme, antikushtetuese dhe antishtetërore.Koshtunica, i cili udhëheq Partinë Demokratike të serbisë me anë të një deklarate i ka ftuar serbët që jetojnë në kosovë të mos dalin në votime."Ne sot i ftojmë bashkëkombësit tonë në Kosovë që me vendosmëri dhe të bashkuar të tregojnë që janë qytetarë të Serbisë -tha ai dhe se për ata nuk ekzistojnë zgjedhje të ndara".Koshtunica është i mendimit se qeveria serbe po mashtron komunitetin serb në Kosovë, për idenë e bashkimit të komunave që mendohet të fitohen nga kandidatët serbë, duke shprehur skepticizmin e tij se mbi cilat ligje do të krijohet ky bashkim komunash.Dyshimet e shfaqura nga Koshtunica vijnë pak ditë pas vizitës së Kryeministrit serb Daçiç në Kosovë, i cili i bëri thirrje komunitetit serb për një pjesmarrje sa më të lartë në zgjedhjet lokale në Kosovë të planifikuara në datën 3 nëntor.