Përfundon rikonstruksioni i çerdhes 47, Basha: Një tjetër premtim i mbajtur

Me një investim prej 22. 9 milionë lekësh, Bashkia e Tiranës ka përfunduar rikonstruksionin total të çerdhes numër 47, duke ofruar standarde të larta në shërbimin ndaj 80 fëmijëve që do ta frekuentojnë atë. Për kryebashkiakun Basha, ky investim është një tjetër konfirmim i vendosmërisë, për t’i qëndruar premtimit të ndërtimit dhe rindërtimit me standarde europiane të çerdheve të Tiranës.“Kjo është një nga ato ditët që urojmë t’i kemi ditë për ditë, për kënaqësinë që na falin. Çerdhja 47 ka përfunduar tre muaj para afatit dhe sot rrezaton standardin europian, në çdo dimension të saj. Akomodimi i fëmijëve nëpër sallat e ditës, të fjetjes, kuzhina, dhomat e ngrënies, ngrohja e garantuar me sistemin me peleta si dhe përshtatja e ambienteve të jashtme rrezatojnë një standard europian dhe po kështu konfirmojnë vendosmërinë tonë, për t’i qëndruar premtimit të ndërtimit dhe rindërtimit me standarde europiane të çerdheve të Tiranës.Kjo është çerdhja e katërt që inaugurojmë për këtë vit, së shpejti do të inaugurohet një tjetër dhe më të i japim fund paketës sonë të parë ndërhyrëse e cila e rrit kapacitetin e çerdheve të rikonstruktuara dhe të ndërtuara nga fillimi, me një numër të barabartë sa dy çerdhe të reja.Pra, nga njëra anë, një standard i përmirësuar në shërbim, nga ana tjetër rritja e numrit të vogëlushëve të cilëve u shërbehet në këto çerdhe janë dy premtime të mbajtura të Bashkisë së Tiranës” - u shpreh kryebashkiaku Basha.Në këtë çerdhe është shtuar sipërfaqja dhe janë riorganizuar ambientet e brendshme, duke mundësuar ambiente të ndara për fëmijët, për të luajtur, fjetur, ambientet për latantët, kuzhinë, lavanderi si dhe dhomat e mjekut e të psikologut.Me rikontruksionin e çerdhes, janë mundësuar për dy grupe fëmijësh, dy ambiente loje, dy ambiente ngrënieje, dy ambiente fjetjeje dhe për grupin e latantëve, ambiente loje dhe fjetje. Po kështu, janë vendosur dyer e dritare të reja, është rikonstruktuar dhe izoluar tarraca. Ambientet e çerdhes janë suvatuar dhe shtruar me pllaka dhe parket, ndërkohë që vëmendje i është kushtuar edhe sistemimit të ambienteve të jashtme.“Natyrisht, kërkesa për shërbim në çerdhet publike të Tiranës vazhdon të jetë më e madhe se sa oferta e Bashkisë së Tiranës, kështu që një prioritet absolut mbetet ndërtimi i çerdheve të reja, shtimi i kapaciteteve dhe përmirësimi, modernizimi i atyre ekzistuese dhe sigurimi i ngrohjes, 100%, në të gjithë çerdhet, kopshtet dhe shkollat e kryeqytetit, brenda fundit të vitit të ardhshëm. Me këtë objektiv, ne po përparojmë sipas planit dhe që në vitin e ardhshëm do të marrë një tjetër shtytje, me paketën investitore të vitit 2014. Edhe 40% më shumë se sa çerdhet ekzistuese, nevojiten për t’u shërbyer fëmijëve të kryeqytetit. Sfida nuk është e vogël, megjithatë mendoj se me vizionin tonë në buxhetin afatmesëm dhe me përpjekjet e vazhdueshme që po bëhen për të ndërthurur si ofertën publike ashtu edhe ofertën private, ne urojmë që brenda një kohe 3-4 vjeçare, të stabilizojmë ofertën e çerdheve, vendeve të fëmijëve në çerdhe, në raport me kërkesën” – deklaroi kreu i Bashkisë së Tiranës.