Shkarkimet në administratë, PD: Denonconi rastet, ofrojmë asistencë ligjore

Partia Demokratike ka dencuar sot intensifikimin e fushatës së spastrimit të punonjësve të administratës nga qeveria Rama. Përmes një prononcimi për mediat, deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi, tha se në të gjitha institucionet, nëpunësve të administratës po u kërkohet dorëheqja nën shantazhe dhe presione pa asnjë motivacion ligjor.“Një muaj pasi shkelmoi konsensusin për ligjin e Nëpunësit Civil me aktin normative antikushtetues, qeveria ka intensifikuar me egërsi fushatën e presionit dhe spastrimeve mbi punonjësit e administratës. Ditë për ditë, në të gjitha institucionet, nëpunësve të administratës po u kërkohet dorëheqja nën shantazhe dhe presione pa asnjë motivacion ligjor. I vetmi motiv që bashkon këto kërcënime dhe spastrime është ai politik. Me dhjetëra raportime për të tilla kërcënime dhe shkarkime vijnë çdo ditë nga çdo kënd i Shqipërisë. Vetëm pak ditë më parë, rreth 80 punonjës të ministrisë së Brendshme u shkarkuan në orët e vona të mbrëmjes pa asnjë motivacion dhe procedure” tha ai.Ndërkaq Bylykbashi u ka bërë thirrje punonjësve të administratës publike të denoncojnë çdo shantazh për largime të paligjshme në organet e prokurorisë dhe publikisht.“Sot ju lëshojmë një thirrje tjetër punonjësve të administratës publike: Mos ju nënshtroni këtyre presioneve! Mos pranoni shantazhet për largime të paligjshme! Denoncojini ato në organet e prokurorisë dhe publikisht! Partia Demokratike është e gatshme t’u sigurojë asistencë ligjore për mbrojtjen e të drejtave tuaja ligjore. Partia Demokratike ju kujton frymëzuesve dhe ekzekutuesve të këtyre akteve të paligjshme se presioni dhe shantazhi përbëjnë vepra penale të ndëshkueshme nga Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë. Ne i sigurojmë ata dhe mbarë publikun se nuk do të jetë e largët dita e llogaridhënies para drejtësisë për këto veprime antiligjore ndaj administratës publike” përfundoi deputeti i PD.