Konçensionet në Minierën e Bulqizës, Ministria e Energjitikës grup pune për kontroll
Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri ka urdhëruar ngritjen e Grupit të Punës për vlerësimin e përgjithshëm të aktivitetit minerar sipas detyrimeve të marrëveshjeve koncesionare dhe lejeve minerare të dhëna në zbatim të legjislacionit minerar në fuqi, në rajonin krom mbajtës Bulqizë.Grupi do të analizojë realizimin e programit të koncesionit, ndërsa do të kontrollohet edhe plotësimi i kushteve të sigurisë dhe të shëndetit në punë të punonjësve të punësuar në aktivitetin minerar.Kontrolli përfshin gjithashtu edhe evidentimin e aktiviteteve të palicensuara që ushtrojnë veprimtari në këtë zonë.Në planin e punës do të jetë edhe kryerja e bilancit të rezervave të mineralit të kromit për secilën leje minerare, duke filluar nga data e hyrjes në fuqi të tyre, ashtu sikurse bilanci i realizimit të prodhimit të mineralit në vite, krahasuar ky me prodhimin e parashikuar në programet e secilës marrëveshje dhe leje minerare.Grupi i punës do të shqyrtojë edhe realizimin e grafikut të investimeve të kryera sipas detyrimeve të parashikuara në kontratat koncesionare dhe kushteve të vëna në lejet minerare.