Nishani pret Kukan: Luftë krimit të organizuar dhe korrupsionit

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti në një takim Delegacionin e Parlamentit Evropian, të kryesuar nga eurodeputeti Eduard Kukan, i cili ndodhet në vendin tonë për takimin e 6të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE – Shqipëri.Gjatë takimit u diskutuan për rezultatet dhe pritshmëritë që lidhen me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformën në gjyqësor, funksionimin e institucioneve të zgjedhura demokratikisht dhe dialogut politik, rolin e shoqërisë civile dhe të medias.Presidenti Nishani, pasi vlerësoi Raportin e Përparimit të Komisionit Evropian, i cili njeh arritjet e vendit, shprehu besimin se, bazuar në rekomandimin e këtij Raporti dhe qëndrimin e Parlamentit Evropian, Këshilli Evropian do t`i japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat në takimin e dhjetorit.Më tej, Presidenti nënvizoi se qeveria dhe institucionet shqiptare do të vazhdojnë reformat duke u përqendruar, në mënyrë të veçantë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe reformimin e gjyqësorit për të rritur efikasitetin bazuar në profesionalizëm, transparencë dhe pavarësinë e tij.Kreu i shtetit theksoi gjithashtu se Shqipëria do të vazhdojë të luajë rolin e saj aktiv dhe kontribues për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në Ballkan, përmes politikës së fqinjësisë së mirë dhe mbështetjes së bashkëpunimit rajonal, duke veçuar Procesin e Brdos si një shembull të bashkëpunimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në funksion të integrimit evropian.Nga ana e tij eurodeputeti Kukan, vlerësoi paraqitjen e bërë nga Presidenti dhe tërhoqi vëmendjen se, Shqipëria duhet të vazhdojë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, të garantojë funksionimin e institucioneve të zgjedhura demokratikisht dhe vazhdimin e dialogut politik, për të bindur me prova të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian se zhvillimi i vendit është i qëndrueshëm.Në fund të takimit, përmes një debati me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve të Delegacionit të Parlamentit Evropian, u shkëmbyen mendime për vijimin e reformave, rolin e shoqërisë civile dhe medias në mbështetje të procesit të integrimit dhe rolit të Presidentit në mbrojtje të pavarësisë së institucioneve kushtetuese.