Itali, ambulancën e "lë" motorri në rrugë, vdes foshnja shqiptare

Mediat italiane bëjnë të ditur se vajza shqiptare 8 muajshe, kishte pësuar një krizë në zemër dhe i ati kishte njoftuar spitalin. Mjekët kanë nisur me urgjencë autoambulancën, por gjatë kthimit ka pasur një defekt në motorr, gjë që ka shkaktuar dhe zjarr në automjet. Vajza është izoluar në një pjesë të ambulancës, duke u mbajtur nën kujdes nga mjekët dhe infermierët dhe më pas është vendosur në një tjetër ambulancë që ka shkuar në ndihmë.
Por e gjithë kjo situatë ka çuar në rëndimin e gjendjes së vajzës, e cila për fat të keq ka ndërruar jetë. I gjendur përballë këtij fakti babai i vajzës ka bërë denoncim në polici dhe prokuroria ka nisur hetimet. Ai ka rrëfyer për karabinierët se, "në pritje të ambulancës së dytë, unë dhe gruaja ishim afër vajzës, por nuk di të them nëse ishte gjallë, por sytë i kishte të hapur".
Ata e kanë dërguar në spital pas këtij incidenti në rrugë, por pas disa minutash mjekët u kanë komunikuar prindërve lajmin e keq se fëmija i tyre nuk kishte mundur të mbijetonte.