Borxhi ndaj biznesit “shlyhet” nga BB, Goldstein: Garant për hua ndaj qeverisë

Banka Botërore i del garant qeverisë se do t’i  japë shumën e kërkuar për shlyerjen e borxheve ndaj biznesit. Ellen Goldstein, drejtore e BB për Europën Juglindore në  një konferencë për mediat ka deklaruar se Shqipërisë do ti jepen disa hua në formën e mbështetjes buxhetore. Golstein u shpreh se huaja do të jetë aq e madhe sa për të mbuluar gropën fiskale të vendit.

 “Ne nuk do të japim një hua, por disa hua, dhe ajo që ka pasur parasysh ministri financave ka qenë ajo e mbështetjes buxhetore. Po bëhet një analizë financiare, kështu që jemi në  fazë të hershme për të diskutuar. Huaja do të jetë aq e madhe sa për të mbuluar gropën fiskale, pasi të bihet dakord për kuadrin fiskal dhe pasi të bihet dakord për të gjitha këto, do të mbetet një deficit që do të financohet nga burime të ndryshme dhe në fund do të jemi ne. Ju keni të drejtë që kjo do të bëhet pjesë e buxhetit të qeverisë. Paratë do të shkojnë drejt e në buxhet. Është shumë herët për të dhënë një kohë të saktë se kur do ta disbursojmë këtë fond parash”tha ajo.

Ndërkohë drejtori ekzekutiv i Bankës Botërore, Piero Cipollone, ka vlerësuar si një çështje mjaft serioze  nivelin e kredive të këqia.