Bushati: Marrja e statusit në dhjetor i mundshëm

Ministri i jashtëm Ditmir Bushati ka deklaruar sot se raporti i KE-së për Shqipërinë është një nxitje për qeverinë shqiptare të vijojë me realizimin e reformave dhe jo medalje.Duke folur në forumin publik "Politika e Jashtme dhe Diplomacia e Shqipërisë", ministri Bushati theksoi se marrja e statusit kandidat në dhjetor është një proces i mundshëm."Procesi i antarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian është një nga përparësitë kryesore të politikës sonë të jashtme dhe një objektiv kombëtar i mbështetur nga i gjithë spektri politik në vend.  Anëtarësimi ynë në BE është një instrument nëpërmjet të cilit ofrojmë kushte për demokratizimin e shoqërisë dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Ne i bashkohemi familjes europiane duke konsideruar se konsolidimi i vlerave synon edhe ruajtjen dhe afirmimin e vlerave tona kombëtare. Javën e kaluar KE rekomandoi dhënien e statusit. Për ne marrja e këtij statusi në dhjetor është proces i mundshëm por jo i përfunduar, pasi i konsiderojnë rekomandimet si nxitje për forcimin e shtetit të së drejtës dhe jo si medalje” është shprehur Bushati.Gjithashtu ministri Bushati e cilësoi projektin e gazësjellësit TAP si mjaft të rëndësishëm si për  Shqipërinë ashtu edhe për rajonin."Përparësi do t’i jepet diplomacisë energjetike, sidomos pas nënshkrimit të projektit TAP. TAP do jetë një projekt paqe. Falë këtij projekti Shqipëria do të sigurojë energji, e cila do të kalojë edhe për rajonin dhe Europën.  Nëpërmjet këtij gazësjellësi Shqipëria do të gazifikohet dhe do të lidhet me rrjetin ndërkombëtar të gazit. Gjithashtu TAP do të krijojë një klimë të re investimeve në Shqipëri dhe rajon” u shpreh Bushati.Ministri Bushati shtoi më tej se vendi ynë do të thellojë me tej bashkëpunimin me SHBA dhe BE, edhe në kuadër të integrimit europian të vendit.“Ne kemi në veprim një metodë konsultimi me SHBA dhe BE, në forumet dypalëshe e shumëpalëshe, në mënyrë që të shumëfishojmë frytet e bashkëpunimit tonë politik. Do të thellohet niveli i bashkëpunimit. Marrëdhëniet me BE do të fuqizohen nëpërmjet konsultimeve të drejtpërdrejta me kryeqytetet e vendeve që luajnë një rol të rëndësishëm në politikën europiane. Ne do të formojmë praninë shqiptare tek operacionet e tjera që synojnë vendosjen e paqes. Besojmë se kontributi ynë jo vetëm i shërben objektivit të përbashkëy për një Afganistan në paqe, por ndikon edhe në forcimin e bashkëpunimit. Politika jonë e jashtme nënkutpon një Shqipëri sa më aktive. Qendrimi ynë për konfliktin në Siri, shpreh besimin se zgjidhja e konflikteve ndërkombëtare mund të bëhet brenda kuadrit të organizmave ndërkombëtare”, tha Bushati.Gjithashtu ministri i jashtëm u ndal tek prioritetet e politikës së jashtme shqiptare, duke u ndalur tek shqiptarët e Maqedonisë si dhe te çështja çame “Të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni janë prioritet i politiëks së jashtme shqiptare, po kështu prioritet është edhe çështja çame, si dhe konsolidimi i marrëdhënieve me fqinjët tanë. Ky konsolidim do mbështetet në projektet strategjike”, tha Bushati.