700 familje luftë për mbijetesë, Bozdo: E turpshme, neglizhenca e paprecedentë e qeverisë

Në ditën e gjashtë të përmbytjeve, qeveria vazhdon të jetë indiferente ndaj rreth 3 mijë banorëve të njësisë bashkiake numër 11. Përveç gjendjes së mjerueshme që po kalojnë këta banorë prej afro 1 jave, në mungesë të ushqimeve e materialeve të tjera të domosdoshme, pasi çdo gjë që kishin u përmbyt nga dalja nga shtrati e lumit të Tiranës, rrezikohen dhe nga epidemia.Të vetmit që u kanë ardhur në ndihmë këtyre banorëve janë 400 punonjësit e Bashkisë që po pastrojnë zonën dhe banorët të cilët gjenden në këto ditë të vështira janë braktisur nga qeveria, deputetët e majtë dhe këshilltarët e majtë të Bashkisë. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo e ka konsideruar të turpshme indiferencën e qeverisë.“Jemi përsëri këtu, në zonën e përmbytjes së madhe, 700 familje janë në këto kushte që i keni parë. Nuk kanë asgjë, as ushqime, as ilaçe, as libra për fëmijët. Prej 6 ditësh që kur ndodhi kjo përmbytje, Bashkia ka qenë prezent këtu, brenda të gjithë mundësive të saj. Më shumë se 400 punonjës të gjithë ndërmarrjeve tona i kemi dislokuar (zonja këtu është dëshmitare). Jemi munduar të pastrojmë baltën, llumin. Po ashtu, jemi munduar që zërin e këtyre që po vuajnë përmbytjet ta çojmë deri lart, edhe në shtabin e emergjencave civile. Unë personalisht kam kërkuar pranë Prefektit të Tiranës por edhe me kontaktet pranë qeverisë, që Ministria e Shëndetësisë të marrë masa, sepse ky ujë që shikoni sot është ujë me përbërje edhe të ujërave të zeza dhe jemi në kushtet e përhapjes së një epidemie. Ne kemi nisur verifikimin e të gjithë dëmeve që janë bërë. Kemi kërkuar që nga rezerva e shtetit, në mënyrë të përqendruar të dërgohen ushqime dhe deri më sot asgjë nuk është bërë; kemi kërkuar të dërgohen batanije dhe jam i sigurt se rezerva e shtetit këto gjëra i ka,. Nuk është bërë asgjë, me gjithë premtimet. Deri më sot, asnjë deputet socialist, asnjë ministër socialist, kryeministri ose jo, as këshilltarët e PS në pushtetin vendor nuk kanë shkelur këtu dhe kjo është e turpshme dhe kjo situatë nuk mund të durojë më. Ka 700 familje që vuajnë sot për bukën e gojës. Jemi gati në kushtet e një epidemi, një epidemie shëndetësore, janë vogëlushët që nuk kanë më as libra, janë familjet që nuk kanë më asnjë mjet elektro-shtëpiak, nuk kanë me çfarë të lahen.Ne si Bashki kemi marrë përsipër të bëjmë ato gjëra që duhet të bëjmë por ne nuk kemi mjete e mekanizma për t’iu përgjigjur kësaj emergjence të jashtëzakonshme civile. Qeveria duhet të jetë këtu prezentë, pasi nuk mjafton vetëm të bëjë show me aksionet e saj por duhet realisht të kujdeset për njerëzit.Ne do të shpallim që nesër hapjen e një numri llogarie dhe në ditët në vijim do të vazhdojmë membledhjen e ndihmave. Këtë gjë do e bëjmë në emër të Bashkisë së Tiranës, kryetarit të Bashkisë, z. Basha i cili vetë personalisht ka shkelur dy herë në këtë zonë por e theksoj përsëri: Nuk mund të bëjmë dot më shumë nga sa kemi mundësi. Kjo moskujdesje dhe moskokëçarje është në rastin më të mirë indiferentizëm, në rastin më të keq është një evidentim apo provë e një racizmi elektoral që PS është duke aplikuar në këtë zonë. Kjo është e turpshme dhe situata nuk mund të vazhdojë më kështu”.“Unë do të thosha diçka edhe në emër të të gjithë këshilltarëve të PD dhe aleancës opozitare që u solidarizuan sot përsëri me të gjithë përpjekjet e administratës së njësisë bashkiake, për të qenë pranë vëllezërve e motrave tanë këtu. Punonjësit e Bashkisë kanë qenë këtu që në ditën e parë, në të mirë e në të keq , kanë qenë ditën e dytë, të tretë. I munguari i madh është ai që ka frikë nga njerëzit, kryeministri Rama që ka frikë më tepër akoma, nga njerëzit në nevojë. Me sa duket, qeveria e mësuar në “orgji” nuk do t’i shohë në asnjë mënyrë këta njerëz që në fakt sot kanë nevojë më shumë se kurrë.Unë e thashë edhe gjatë një vizite tjetër, me z. Tafaj, në pjesën tjetër sepse kemi qenë vazhdimisht të gjithë drejtuesit dhe përfaqësuesit e qytetarëve. Ky është një rast shumë i shëmtuar, nuk ka nevojë pas 6 ditësh, kishte nevojë në ditën e parë, për të qenë me njerëzit, për t’i ndihmuar ata. Po kalojnë 6 ditë, jemi në prag të një emergjence shëndetësore, të një epidemie. Takuam atë zonjën që kishte një fëmijë 10-ditësh dhe një tjetër që s’kanë as ku flenë. Është tallje që në një zonë me 700 familje të prekur më shumë se rëndë, më shumë se kaq nuk ka ku të shkojë, të sjellësh vetëm 50 krevatë marinari apo batanije. Është e turpshme dhe më duhet t’ju kujtoj juve dhe gjithë të tjerëve që vetëm 3 muaj më parë, ne kemi pasur një qeveri që në një fatkeqësi me 20-30 mijë banorë, në një zonë me 100 mijë banorë i kemi ardhur në ndihmë në situata emergjente, ushqimore, sanitare, veshje e me radhë. Janë vetëm 7000 banorë të prekur shumë rëndë, që kërkonin një vëmendje maksimale. Me sa duket, qeveria e Shqipërisë këtë nuk do ta bëjë, nuk ka asnjë justifikim dhe ne do i drejtohemi të gjithë qytetarëve dhe njerëzve të ndershëm, do i drejtohemi organizmave ndërkombëtarë, do e bëjmë dhe vetë, për t’u ardhur në ndihmë vëllezërve e motrave tona.Është rasti të shprehim solidaritetin edhe për punonjësit këtu, të strukturave bashkiake që ditë e natë janë përpjekur të lehtësojnë sadopak por kjo ka nevojë për vëmendjen e të gjithë qytetarëve të Tiranës, në kushtet e mungesës së vëmendjes kriminale të kryeministrit Rama dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë që kanë mendjen vetëm për emërimet nga fshati i tyre, zona e tyre, për emërimet e jashtëligjshme dhe aspak për t’u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë” u shpreh hreu i këshilltarëve demokratë, Ferdinand Poni.“Siç e shihni, është një lagje tjetër, i përket minibashkisë 11, pra njësisë bashkiake 11 të Tiranës por lagje të tilla ka edhe në komunën e Paskuqanit, edhe në bashkinë e Kamzës. Këto lagje janë të prekura rëndë nga përmbytjet por është e pafalshme që një javë pasi ka ndodhur përmbytja, nuk ka asnjë lloj ndërhyrje nga pushteti qendror, nga qeveria dhe asnjë lloj vëmendje për normalizimin e situatës. Këtu, kemi të bëjmë me një situatë tepër të rëndë, e cila çdo ditë mund të shkaktojë një epidemi, këtu duhet të jenë strukturat e Drejtorisë Shëndetësore Rajonale, strukturat e Institutit të Shëndetit Publik, duhet të jetë qeveria, ministrat, duhet të jetë kryeministri. Është e pafalshme që këto vatra, të mbeten në një gjendje të tillë të pa normalizuar. Pushteti lokal ka bërë maksimumin. Ne, si deputetë jemi duke kontaktuar vetë me organizatat e huaja, për t’u ardhur në ndihmë banorëve por është e domosdoshme ndërhyrja e menjëhershme dhe urgjente e strukturave të qeverisë qendrore, për këtë gjendje tepër emergjente në këto lagje” deklaroi deputeti Myqerem Tafaj.