Këshilli larg gjetjes së konsensusit, Ndroqi apelon të majtët për zgjidhjen e ngërçit
Ka dështuar për të dytën herë radhazi mbajtja e mbledhjes së Këshillit nga të djathtët. Sikundër të premten, edhe pasditen e sotme shkak ëShtë bërë mungesa e kuorumit, pasi pas ndryshimeve të balancave, opozita numëron vetëm 14 këshilltarë.Zv/kryetari i Këshillit Bashkiak, Zamir Ndroqi, e ka shfrytëzuar mbledhjen për ti drejtuar një apel këshilltarëve të majtë që të bashkëpunojnë për të zgjidhur ngërçin e krijuar, në mënyrë që Këshilli të nisë punën për vendimet të rëndësishme për qytetarët e Tiranës.“Duket se edhe sot mbledhja e Këshillit Bashkiak nuk është e mundur të zhvillohet, meqënëse nuk plotësohet kuorumi i nevojshëm prej më tepër se gjysma, pra 28 anëtarë të Këshillit Bashkiak. Do të kishim dëshirë të zhvillohej mbledhja, sipas rregullave dhe ligjit 8652, 31.07.2000; “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, sipas nenit 31, pika 3, neni 36, pika 2 dhe të rregullores së Këshillit Bashkiak, në funksion të këtij ligji. Është e nevojshme për qytetin e Tiranës, për të gjithë qytetarët, votuesit tanë të të gjithë krahëve politikë që problemet e hallet e tyre të gjejnë zgjidhje nëpërmjet vendimeve të Këshillit Bashkiak, Bashkisë dhe Këshillit Bashkiak. Po ashtu, së fundmi çështje si përmbytjet nga vërshimi i lumit të Tiranës, edhe ato kërkojnë zgjidhje, do kenë nevojë edhe për zgjidhje ligjore. Do ishte mirë të gjendej një zgjidhje për këtë problem që ka mbetur në një ngërç dhe që mund të zgjidhet, sigurisht në bazë të ligjshmërisë dhe ligjeve në fuqi. Traditë e popullit të Tiranës ka qenë mençuria, pjekuria, shqiptarizmi dhe ligjshmëria, për zgjidhjen e gjithë problemeve të ndërlikuara që kanë pasur. Edhe pas ’90, me problemet e ndërlikuara, populli i Tiranës i ka bërë thirrje ligjit dhe jo vetëgjyqësisë, për zgjidhjen e problemeve të mëdha që ka pasur vetë populli i Tiranës. Gjithmonë ka reflektuar dhe i është drejtuar ligjit për zgjidhjet, asnjëherë në mënyrë jo ligjore.Ligji është është ligj, ne duhet të zbatojmë ligjet e rregullat, t’i përgjigjemi të gjithë zgjedhësve tanë për zgjidhjen e halleve e problemeve të tyre. Shpresojmë që herën tjetër, të kemi një zgjidhje të këtij ngërçi që nuk shpjegohet, nuk ka pasur nevojë për ngutje, zgjidhje emocionale dhe jo të rregullta”Të shtunën ishin këshilltarët e majtë nën drejtimin e kryetarit të zgjedhur prej tyre Aldrin Dalipi, të cilët në mungesë të sallës së mbledhjes, u takuan në paradhomën e Këshillit nga ku zgjodhën dhe katër këshilltarët e rinj, tre nga PS dhe një nga PDIU.