Gjosha: Raporti i KE shton përgjegjësitë për integrimin. Lidekker: Ju ofrojmë asistencë për kriteret
Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, priti sot në një vizitë Drejtorin e Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë Marco Leidekker.Ministrja Gjosha shprehu vlerësimin për raportin e Komsionit Europian të publikuar vetëm pak ditë më parë për Shqipërinë. Ajo theksoi se ky dokument i shton vendit përgjegjësitë për të çuar përpara me sukses procesin. “Por, na bën gjithashtu të vetëdijshëm që ka ende shumë punë për të bërë në mënyrë që ne të përmbushim prioritetet e kërkuara”, tha Gjosha.Nga ana e tij, Leidekker deklaroi se Komisioni Europian do të ofrojë asistencën e ti, bazuar në prioritetet që qeveria ka vendosur në përmbushje të angazhimeve të saj. Ai nënvizoi se KE-ja, është e gatshme për të zgjeruar më tej bashkëpunimin me Shqipërinë, duke e mbështetur me një sërë projektesh, ashtu sikurse ka bërë edhe më herët.Ministrja, Gjosha gjithashtu ka kërkuar suport në vijim sidomos në ndërtimin e kapaciteteve dhe strukturave të nevojshme që i shërbejnë vendit në procesin e Integrimit në Bashkimin Europian.Ajo theksoi, se strategjia e qeverisë për të realizuar me sukses këtë proces, është gjithëpërfshirëse me Ministritë e linjës dhe institucionet e tjera që duhet të kontribuojnë.