Trafik droge nga burgu, ja emrat e shqiptarëve
Një super trafik droge që drejtohej nga qelia e burgut. Një sasi rekord droge që përfundonte në lokalet dhe rrugët e Peskaras dhe L'aquilas në Itali.Një operacion top sekret që ka depertuar edhe në qelitë e burgut të Fushë Krujës ku i është komunikuar arresti ndërkombëtar të dënuarit me burg përjetë Indrit Dokle. I arrestuar vite më parë si pjesë e Bandës së Durrës, Indrit Dokle dhe dy anëtarë të bandës së tij dyshohet se drejtonin trafikun në një rrjet të përbërë nga 3 celula që shtriheshin në gjithë Ballkanin dhe si destinacion të qindra kg heroinë e kokainë ishte rajoni i Abruzos në Itali.Pas një hetimi më shumë se sekret, mbrëmë në darkë në Prokurorinë e Përgjithshme kanë mbërritur 7 urdhër-arreste të cilat janë ekzekutuar që pa zbardhur dita në Vlorë e Durrës. Dy urdhër-arreste shqiptare ndërkohë janë ekzekutuar në Itali për dy vëllezërit Renald dhe Roxhen Velia.Me urdhërat e prokurorisë, policia ka trokitur në mëngjes në banesat e shtetasve Shpëtim Dana në Vlorë, kurse Evin Muço dhe Zenel Balla janë arrestuar në Durrës duke u vënë prangat për llogari të antimafias italiane. Ndërsa Indrit Dokle, Jorid Xhunga, Shefqet Vata dhe Arben Shtëmbari thjeshtë janë njohur me akuzën e re në qelitë e burgut ku vuajnë dënimet për vepra të tjera penale.Gjatë këtij aksioni janë sekuestruar 200 kg heroinë afgane dhe rreth 500 kg marjuanë që besohet se vinte nga Shqipëria. Sipas autoriteteve italiane me operacionin e koduar "Ellenika" synohet t`iu “pritet koka” tre organizatave që drejtojnë trafikun më të madh të heroinës në Evropë në vitet e fundit . Ky operacion është puna e tetë vjet hetimi nga autoritetet italiane.Tre organizatat që furnizonin me drogë Europën i kishin detyrat e ndara. Një organizate kriminale ishte e specializuar për importin dhe shitjen me shumicë të heroinës dhe kjo organizatë drejtohet nga shqiptarët dhe bazat e tyre është në Shqipëri dhe Kosovë.Një organizatë ishte specializuar për transportin ndërkombëtar të heroinës e njohur si grupi i korrierëve dhe besohet se është me bazë në Bosnje dhe organizata e tretë merrej me shpërndarjen në tregun me pakicë. Droga dërgohej në Itali, përmes rrugës, Shqipëri-Kosovë-Bosnia-Herzegovina-Kroaci-Slloveni-Itali.