Tirana me dy Këshilla. Bashkia kyç derën, Dalipi mbledh të majtët në korridor

Teatri me Këshillin bashkiak të Tiranës ka sjellë edhe sot shfaqen e radhës. Sikundër kishin lajmëruar 28 këshilltarët e majtë janë paraqitur në Bashki për mbledhjen e parë të tyren, që kur zgjodhën edhe kryetarin e ri Aldrin Dalipi.Ndërsa i janë drejtuar sallës së mbledhjeve, dera ishte kyçur nga Bashkia dhe në të tilla kushte Dalipi e ka deklaruar të hapur mbledhjen që nga paradhoma e Këshillit. Ai shprehu keqardhjen e tij për rrëmbimin e sallës, por pavarësisht kësaj, do t'i shkojë deri në fund mbledhjes me miratimin e vendimeve.“Mbyllja e dyerve të Këshillit Bashkiak për maxhorancen dhe hapja për pakicën një veprim i paligjshëm. Është një ngërç moral brenda opozitës por mendoj se do gjejnë kurajon për ta kaluar. Nuk është mbyllja e një salle që i jep legjitimitet këshillit bashkiak. 28 këshilltarët sot kryen detyrën e tyre. Sipas rendit të ditës sot morën mandat katër këshilltarë, tre të PS dhe 1 i PDIU-së. Unë i bëj thirrje opozitës ti kthehet rrugës ligjore. Loja e mbledhjeve është një veprim i tepruar edhe nga ana morale për qytetarët. Nuk kam marrë njoftim për mbledhjen e së hënës. Lojëra të tilla nuk i bëjnë mirë askujt, në radhë të parë bashkisë së Tiranës që është e interesuar për vendimarrje ligjore. Ne ftojmë pakicën, pavarësisht se ne kemi numrat, ti kthehet vullnetit të mirë dhe të votojmë sëbashku. Në mbledhje ishin dhe përfaqësues të Prefekturës, të cilët konstatuan sesi salla ishte e mbyllur.Çdo vendim që nuk i bën mirë qytetit do ketë votën tonë kundër. Çdo vendim që është në të mirë të qytetarëve do të votohet nga ne jashtë çdo vendimi partiak” tha ai.Duke rikujtuar edhe njëherë se bllokimi disa mujor i Këshillit ka lënë pas shumë çeshtje pezull, Dalipi tha se Tirana ka nevojë për kontributin e të gjithëve.“Ka shumë çështje në aspektin social, strehimin apo situata të tjera. Këshilli për këtë punë është. Kryetari i dorëhequr dje deklaroi në mënyrë të papërgjegjshme që tanimë kishte kuptuar se ka një mazhorancë të re”deklaroi per Ora News Dalipi.Lidhur me këtë situatë Bashkia e Tiranës, sqaron se nuk kishte marrë një njoftim zyrtar për thirrjen e Këshillit, për pasojë në orën 16:00 është mbyllur zyrtarisht dita e punës.Mbledhja, e cila nuk ka zgjatur më shumë se 20 minuta, ka nisur me betimin e Dalipit si kreu i ri i Këshillit Bashkiak, ndërsa u emëruan dhe katër këshilltarë të rinj, përkatësisht Abdyl Saja, Erik Skëndaj, Dhimiter Myslia, Arben Tahia.Nga ana tjetër këshilltari i LSI, Shezai Rrokaj, shtroi domosdoshmërinë e një takimi mes kryetarëve të grupeve për ti dhënë fund ngërcit të krijuar, ndërsa ka kërkuar nga këshilltarët e djathtë të njohin legjitimitetin e shpallur nga Prefekti.Të djathtët u mblodhën dje nën drejtimin e Zv.Kryetarit Zamir Ndroqi dhe u njohën me dorëheqjen e ish-Kryetarit Njazi Kosovrasti; ata e anulluan mbledhjen, pasi nuk kishin kuorumin për vendimet.Sot paradite, Zv/Kryetari i Këshillit ka njoftuar zyrtarisht Bashkinë e Tiranës, se mbledhja e radhës është thirrur ditën e hënë, datë 21 tetor, ora 18:00, me të njëjtin rend dite."