Tiranë,Bashkia vazhdon aksionin, në ndihmë të familjeve të përmbytura

Pavarësisht dy urdhrave të nxjerrë nga Prefekti dhe apelit të vazhdueshëm të Bashkisë së Tiranës dhe njësisë bashkiake drejtuar qeverisë,  për t’u ardhur në ndihmë banorëve të përmbytur, ende nuk ka asnjë reagim.Situata vazhdon të jetë emergjente për mbi 1000 familje, të cilave dalja e lumit të Tiranës nga shtrati u shkatërroi gjithçka kishin. Kryetari i Njësisë Bashkiake nr. 11, Haki Mustafa i ka kërkuar sërish sot qeverisë, t’u ofrojnë ndihmë në ushqime, veshmbathje, ndihmë mjekësore banorëve dhe t’u bashkohet strukturave të Bashkisë së Tiranës, për të bërë pastrimin e zonës së përmbytur.“Kanë dalë dy urdhra nga prefektura e Tiranës, për t’u ardhur në ndihmë me ushqime, veshmbathje dhe materiale të tjera, këtyre banorëve. Kjo ndihmë duhej të fillonte në datën 16, sot jemi tre ditë pas saj dhe nuk bëhet fjalë të ketë ardhur qoftë edhe ndihma më e vogël. Në lidhje me këtë çështje, do ishte e udhës që përmes këtij sensibilizimi, ata të marrin masa jo vetëm për ushqime dhe rezerva por të gjithë institucionet. As ushtria dhe as institucionet e tjera qeveritare nuk janë dukur, që nga momenti i parë i përmbytjes në këtë zonë, ku situata është emergjente”u shpreh Mustafa.