Poni apel qeverisë për të ndihmuar familjet e përmbytura

Një grup këshilltarësh të djathtë të Këshillit Bashkiak të Tiranës kanë qenë sot në zonat e përmbytura nga dalja nga shtati e lumit të Tiranës. Kryetari i grupit të këshilltarëve Ferdinand Poni ka shprehur shqetësimin, për mungesën e theksuar të vëmendjes së qeverisë ndaj 1 mijë familjeve të prekura direkt nga përmbytja.“Ju mund të shikoni deri ku ka vajtur, deri pranë pjesës së sipërme të dritares dhe çka është më e keqja ka shkatërruar thuajse të gjithë orenditë, qoftë për të veshur, qoftë aparatet elektro-shtëpiake e gjithë të tjerat dhe janë në kushtet e emergjencës së plotë. Ne, një grup këshilltarësh dhe deputeti Tafaj erdhëm për të parë nga afër angazhimin e strukturave të Bashkisë së Tiranës. Do të donim të thoshim edhe të qeverisë qendrore, në sensin që një gjendje kaq e rëndë për banorët, ka nevojë për një bashkëpunim të gjithë palëve, pasi banorët kanë nevojë për paketën e parë të emergjencës sot, jo nesër, jo pasnesër, tani, në çast, që ka të bëjë me ushqimet bazë dhe të furnizohen me ujë e detergjente. Shumë shpejt qeveria duhet të alokojë së bashku, jo vetëm me fjalë gjendjen e emergjencës por duhet të alokojë ndihma për riparimin e kësaj situate dramatike për banorët. Mua më vjen keq që shoh vetëm punonjësit e Bashkisë së Tiranës dhe ndërmarrjeve të tjera për të pastruar, pasi nuk i dilet. Këtu duhet të alokohet ushtria, mjete të tjera të rënda, për të evaduar llumin, baltën që është në lartësinë gjysmë metër e me radhë. Më vjen mirë, nga një anë që kam angazhimin maksimal të minibashkisë dhe strukturave por kjo nuk del. Duhen ndihma të menjëhershme të paketës ushqimore, ujë, detergjentë që duhet të vijnë sot, dyshekë, batanije, etj duhet të vijnë sot. Ne do të bëjmë çka është e mundur por shfrytëzoj rastin që janë edhe mediat të pranishme, se është një apel edhe për qeverinë” tha Poni.Edhe deputeti i zonës Myqerem Tafaj tha se duhet ndërhyrja urgjente e qeverisë qendrore me paketën e parë të ndihmës që jepet në raste të tilla, pasi sipas tij Bashkia nuk e përballon dot e vetme këtë situatë.“Siç e shihni, gjendja është tejet e rëndë dhe nuk janë pak por rreth 600 shtëpi që janë në këtë situatë. Praktikisht, është një situatë në të cilën familjet duhet të evakuoheshin nga këtu. Në këto kushte nuk mund të bëhet fjalë, fëmijët por edhe të rriturit të jetojnë këtu. Dëmi është i jashtëzakonshëm. Punonjësit e Bashkisë, ndërmarrjeve të Bashkisë janë totalisht të angazhuar por kjo është e pamjaftueshme. Duhet ndërhyrja urgjente e qeverisë qendrore, me paketën e parë të ndihmës që jepet në raste të tilla, siç është vepruar gjithmonë për zonat e përmbytura. Këtë gjendje, banorët që janë këtu nuk e kanë përjetuar prej dekadash dhe si e tillë duhet përballuar me një ndërhyrje të fuqishme dhe të menjëhershme”.