Të majtët mbledhin sot Këshillin Bashkiak të Tiranës

Të majtët mbledhin sot Këshillin Bashkiak të Tiranës nën drejtimin e kryetarit të ri Aldrin Dalipi.Në mbledhjen e djeshme, Njazi Kosovrasti njoftoi dorëheqjen e tij nga posti i kryetarit të Këshillit, në kushtet e realitetit të ri që ka sjellë ndryshimi i mazhorancës në Këshillin Bashkiak, pas bashkimit të këshilltarëve të LSI-së me ata të PS-së.“Me synimin që të përmirësojmë klimën e komunikimit dhe mbarëvajtjen e punëve në Këshillin Bashkiak të Tiranës, tu shërbejmë sa më mirë qytetarëve të kryeqytetit, unë kam njoftuar në 26 shtator, në kushtet e realitetit të ri që ka sjellë ndryshimi i mazhorancës njoftoj dorëheqjen nga detyra” deklaroi Kosovrasti.Në mbledhjen e djeshme e cila ishte thirrur nga zv/kryetari i Këshillit Bashkiak Zamir Ndroqi, morën pjesë vetëm 14 këshilltarët e djathtë.Ndroqi apeloi këshilltarët e majtë që të bashkëpunojnë për të zgjidhur ngërçin e krijuar, në mënyrë që siç tha ai, Këshilli të nisë punën për vendimet të rëndësishme për qytetarët e Tiranës.Sipas këshilltarëve të djathtë, mbledhja e muajit maj,ku ishin prezentë vetëm këshilltarët e majtë dhe bënë shkarkimin e kryetarit Njazi Kosovrasti e në vendin e tij zgjodhën këshilltarin e PS-së Aldrin Dalipi është e paligjshme.Kreu i të majtëve, Aldrin Dalipi, i cili ka thirrur dhe mbledhjen në një reagim të tij në rrjetin social twitter e cilësoi të pavlerë dorëheqjen e ish-kryetarit te shkarkuar Kosovrasti.“Këshilltaret e majtë shprehin keqardhjen për shpalljen e dorëheqjes së një ish kryetari të shkarkuar.Të kërkonte ndjese 4 muaj peng Këshillin Bashkiak! Dorëheqja e ish kryetarit të shkarkuar Kosovrasti dhe “leksioni ligjor”,pa vlerë. Qytetarët e Tiranës nuk dëgjuan ndjesën për 4 muaj pa këshill!  Shumica fton në mbledhjen e KB ora 18 pakicën në sallën e këshillit.Koha për të lënë pas komplekset politike, ti shërbejme qytetarëve!” shkruan Dalipi.Për çështjen e shkarkimit dhe votimit të kryetarit të ri të Këshillit Bashkiak të Tiranës të dyja palët i janë drejtuar prokurorisë për të bërë hetime. Po ashtu kjo çështje ka përfunduar edhe në gjykatë, por ende nuk është dhënë një vendim përfundimtar.