Përplasja për “gropën” në ekonomi, PD: Po rrënoni vendin; PS: E bëri Berisha

Pas dy javë braktisje të Kuvendit, opozita është kthyer në komisionet e parlamentare duke u bërë pjesë një debat të fortë politik për një tjetër akt të qeverisë , atë të ligjit për buxhetin e vitit 2013. Ndërsa qeveria vjen me këtë akt për shkak të gjendjes së vështirë ekononmike, siç tha Ministri i Financave Shkëlqim Cani në komisionin e ekonomisë, opozita dhe ish-Ministri Ridvan Bode e kanë cilësuar këtë një përpjekje për të nxirë realitetin në Shqipëri.Por për Ministrin e Financave situata ekonomike që gjeti qeveria nuk është ajo për të cilën flet opozita aktuale. Ai tha në komision se rritja ekonomike për këtë vit do të jetë rreth 1.2 % dhe jo në 3 përqind siç është deklaruar më herët. Sipas Ministrit Cani buxheti reflekton një situatë të pakëndshme, pasi ka një shkurtim me 38.8 miliardë lekë të tëardhurave të këtij viti, ndërsa tha se parashikohet që deri në fund të vitit borxhi publik të shkojë në 69 %.“Akti normativ vjen me ulje të të ardhurave, me rritje defiçiti dhe për pasojë edhe rritje borxhi. Buxheti reflekton një situatë të pakëndshme, shkurtohen me 38.8 miliardë lekë të ardhurat e këtij viti. Kemi më pak se të ardhurat nominale të vitit 2010. Gjendja në thesar është keq dhe 9 miliardë lekë në pritje për t’u bërë pagesat. Ftoj deputetët e opozitës të jenë pjesë e procesit, ështënjë borxh që qeveria u ka bizneseve. Nuk është hera e parë që jemi në situatë të tillë,edhe në 1997 ishte një situatë e vështirë ” është shprehur Cani.Ministri i Financave paralajmëroi edhe ndjekje penale për ata punonjës të administratës që kanë abuzuar me detyrën në administratën tatimore dhe doganore, çka u theksua edhe nga kryetari i komisionit, Erion Braçe.“Rritja ekonomike ka qenë më e madhe se rritja e të ardhurave. Janë kryer vepra penale nga puna e keqe e bërë nga punonjës të tatimeve dhe doganave. Nuk po bëj deklarata politike, por do merren masa, do të ketë risktrukturim të administrates. Ju ftoj të jeni aktivë me auditin, t’i paguajmë kujtdo detyrimin e vërtetë. Buxheti është 23 miliardë e 400 milionë minus për 9 muajt e parë të vitit 2013. Deri në fund të vitit do të ndjekim metodologjinë e qeverisë paraardhëse pasi jemi të detyruar” është shprehur Cani.Mbledhja e komisionit u shoqërua me debate të forta mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës, të cilët flisnin për situata ekonomike krejtësisht të kundërta.Në fund komisioni kaloi me votat pro të mazhorancës dhe ato kundër të opozitës aktin normativ për ndryshimet në buxhetin e shtetit, ndryshime të cilat parashikojnë rritje të defiçitit buxhetor e për rrjedhojë edhe të borxhit publik, të diktuara këto masa sipas qeverisë nga situata ekonomike në vend.