Arben Seferi zgjidhet administrator i përkohshëm i CEZ-it
Bordi i Komisionerëve të ERE-s ka zgjedhur Arben Seferin si administrator të përkohshëm të CEZ Shpërndarje.Për të drejtuar kompaninë e shpërndarjes së energjisë CEZ aplikuan tetë kandidatë, por vetëm 3 prej tyre plotësuan kriteret e përcaktuara nga Enti Rregullator i Energjisë.Tre kandidatët prezantuan dje para drejtuesve të entit, objektivat e tyre për administrimin e CEZ-it.Ndonëse me përvoja e të shkuara të ndryshme, pika e takimit është objektivi i tyre për të rritur eficiencën në sektorin e energjisë, rritjen e arkëtimeve dhe uljen e humbjeve.Pas vlerësimeve nga drejtuesit e ERE-s është vendosur të zgjidhet Arben Seferi në krye të CEZ shpërndarje. Ai zëvendëson Sait Dollapin i cili dha dorëheqjen pak ditë më parë nga pozicioni si administrator i CEZ.Arben Seferi, është me profesion Inxhinier Mekanik. Më parë ka punuar si drejtor i përgjithshem i mirëmbajtjes së rrugëve dhe ndriçimit në Bashkinë e Tiranës.