Sequi: Sistem drejtësie efikas, ndëshkim të zyrtarëve të lartë

Njerëzit bien dakord që mund të mos bien dakord. Me këtë parim të demokracisë e argumenton kalimin e aktit normativ për ligjin e nëpunësit civil vetëm me votat e mazhorancës, ambasadori i BE në Tiranë, Ettore Sequi. Në Tonight Ilva Tare, ai nënvizoi rëndësinë e ligjit për administratën, si një nga tre ligjet e përcaktuara nga BE për marrjen e statusit kandidat, e për të cilën është investuar shumë. Përballë alarmit të lëshuar nga opozita se akti paralajmëron një katrahurë në administratën publike, Sequi tha se do ta monitorojnë hap pas hapi këtë çështje.“Së pari një nga karakteristikat e demokracisë ka të bëjë me faktin që njerëzit bien dakord që mund të mos bien dakord. Një nga fjalët kyce në Bruksel është fjala konsensus, dialog, gjithpërfshirja, konsensusi. Një nga arsyet se pse ligji për administratën publike ishte një prej tre ligjeve që duheshin votuar për statusin, ëhstë sepse ne mendonim sepse Shqipëria meriton njëj administratë publike, stabël, jopolitike dhe konceptin e vazhdimësisë së punëve. Me ligjin e ri ne donim të shkonim në këtë drejtim dhe kemi investuar shumë. Kur u miratua ligji, përgatitja u bë dhe me asistencën e një organizate që financohet nga KE. Parlamenti vendosi ta miratonte ligjin, pa një nen tranzitor. Unë e kuptoj problemin, periudha e tranzicionit nuk ishte përfshirë. Ky legjislacion duhej të përgatitej sa më shpejt të ishte e mundur.Koncepti i një administrate publike profesionale është koncept i rëndësishëm për ne. Ne do ta monitorojmë këtë çështje, pikërisht për këtë çështje kemi pasur një diskutim edhe me ambasadorët e shteteve të tjera në Tiranë. Kërkova shifra të sakta nga institucionet dhe nuk ka shifra të sakta ose mua nuk mi kanë dhënë. Mendoj që unë thjesht duhet ti referohem raportit të progresit ku flitet për administratën dhe flitet pikërisht për këtë ligj. Ajo që është shkruajtur aty mund të lexohet fare mire” tha ai.Për institucionet shqiptare rregullat e lojës janë mjaft të qarta, andaj ajo cfarë duhet bërë thekson përfaqësuesi i BE, është shfrytëzimi i kohës së mbetur për të patur një vendim pozitiv nga KiE në dhjetor.“KE rekomandoi dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë. Shtetet anëtarë do të vendosin në dhjetor dhe shpesojmë të jetë pozitiv. Shqipëria duhet të përdorë kohën deri në dhjetor që të konsolidojë rezultatet, në veçanti në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit. Kjo varet shumë nga konsolidimi i mëtejshëm i rezultateve që janë arritur tashmë nga Shqipëria. Qeveritë e 28 shteteve anëtare do të vendosin. Me rëndësi është që progresi në proçesin e reformave të vazhdojë dhe në mënyrë të bindshme dhe efektive. Rregullat janë të qarta, institucionet shqiptare e dinë fare mirë se çfarë duhet të bëjnë dhe nuk kam pikë dyshimi që do ta bëjnë atë” deklaroi Sequi.Në fillim parimet, pastaj anëtarësimi. Me këtë moto është prezantuar për këtë vit KE, e ku Sequi i mëshon shumë luftës ndaj korrupsionit, krimit të organizuar dhe vendosjen e shtetit të së drejtës. Kur jemi tek drejtësia, Ambasadori deklaron se Shqipëria duhet të ndërtojë një sistem të tillë që të funksionojë dhe të kthejë besimin tek qytetarët duke ndëshkuar paligjshmërinë që nga qytetari i thjeshtë deri tek zyrtari më i lartë.“Mendoj që ne duhet të përqëndrohemi në prioritete thelbësore. Këto kanë të bëjnë me shtetin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, kanë të bëjnë me të drejtat e të njeriut. Kjo është një çështje që mund të shihet si një qasje e re për proçesin e negociatave. Kjo nuk është diçka teorike. Sa i përket korrupsionit dhe krimit të organizuar ne kemi një histori fillestare të hetimeve dhe ndjekjeve penale, duam të avancojë më tej, bashkëpunim më të mirë mes institucioneve. Duam të jetë një pjesë integrale e kulturës së institucioneve dhe vendit. Po planifikojmë të organizojmë një konferencë për anti-korrupsionin dhe dëshirojmë të kemi rekomandime operacionale që do monitorohen. Arrestimi i zyrtarëve të lartë mund të jetë koncept i çuditshëm për drejtësinë, pasi në konceptin tonë ai që kryen një krim duhet të vihet para drejtësisë. Dëshirojmë të shohim drejtësi që të jetë efikase, gjyqësor cilësor dhe avancim në historinë e ndjekjeve penale. Duam një sistem që funksionon dhe ka besimin e njerëzve” përfundoi Sequi.