“Nga akti në akt”, sfida e radhës rishikimi i buxhetit, PD në parlament

PD do jetë pjesë e jetës parlamentare, pasi bojkoti nuk është në filozofinë e saj. Kjo është konfirmuar nga deputetja e PD, Jorida Tabaku, në intervistën e mbrëmjes në Ora News. Ajo theksoi se bojkoti për aktin normativ ishte një qëndrim që kishte të bente vetëm më këtë çështje, pasi mazhoranca hodhi poshtë konsensusin e arritur mes palëve. Ndërsa opozita ka një mision të qartë. Shkarkimet në administrate, tha Tabaku, janë një shqetësim serioz për PD që ka ngritur dhe një grup pune për trajtimin e tyre.“Administrata është një prej prioriteve edhe të progres-raportit. Përmendej që duhej një adminsitratë profesionale dhe e depolitizuar. Në të mirë dhe në të keqe është kjo administratë që ka arritur atë cfarë kemi deri më sot. Ndërkohë që deri më tani kemi parë totalisht emërime militante, politike. Nuk besoj që kjo është në të mirë të proçesit dhe shpresoj shumë që të paktën të mos dëmtojë proçesin. Ne nuk do jemi opozitë penguese, por do të mbrojmë të gjithë nëpunësit civilë që kanë ndihmuar Shqipërinë për të arritur deri këtu ku jemi. Deri tani ka riorganizime, jo shkurtim stafi. PD ka ngritur një grup pune që po monitoron situatën, po ofron dhe konsulencë falas. Ne do jemi në Kuvend, rruga jonë nuk është bojkoti. Sa i përket seancës së sotme ka qenë një qëndrim lidhur me respektimin parimit të vendosjes së konsensusit. Akti normativ hyri në fuqi në 30 shtator dhe ishte fakt i kryer, ishte i pamundur diskutimi mbrapa” tha ajo.Me rikthimin në Kuvend, demokratët do të marrin në duar një tjetër akt normativ të qeverisë Rama, ndryshimet në buxhetin e shtetit të vitit 2013. Tabaku theksoi se në kete akt normativ parashikohet një rënie drastike e të ardhurave dhe rritje e shpenzimeve për shërbimet operative. “Me kete akt normativ, i cili zëvendëson menjëherë ligjin e vjetër të buxhetit, qeveria “Rama” ka shkurtuar me 390 milionë dollarë planin e të ardhurave dhe me rreth 160 milionë USD planin e shpenzimeve. Si rezultat, qeveria e re deri në fund të vitit pritet të rrisë me rreth 220 milionë dollarë deficitin” tha ajo.“Borxhi publik është rritur gjatë viteve të kaluar vetëm për investimet publike. Borxhi që po merret tani shërben pikërisht për mbuluar shërbimet operative. Grupi ynë parlamentar do të vazhdojë jetën normale parlamentare, do vazhdoj të jetë aktiv. Rama thotë se ka arkën bosh pasi pretendon të mos mbledhë asnjë lekë këto muaj. Në aktin normativ që ne na është paraqitur dhe që do ta shqyrtojmë në komisionin e ekonomisë, parashikohet një rënie drastike e të ardhurave.Vihet re një rritje e shpenzimeve, një rënie edhe në pjesën e investimeve për projektet e mbetura. Akti na çon shumë hapa mbrapa, para 2005” u shpreh Tabaku.Referuar progres-raportit, deputetja demokrate tha se rekomandimi i marrjes së stausit nga KE na afron më shumë marrjes së statusit.“Është një lajm shumë i mirë për të gjithë shqiptarët, ndodhemi shumë afër marrjes së statusit kandidat. Është një lajm i mirë dhe për mua si pjesë e PD, pasi një pjesë e mirë e reformave lidhen me 8 vitet e qeverisjes së PD. Një lajm shumë i mirë edhe për Kosovën. Progres-raporti jep një pamje të qartë, me problemet e saj por më shumë me të mirat e saj. Në pjesën më të madhe të kapitujve vihet re progres. Së fundi konsensusi i 30 majit është ai konsensus që solli marrjen e statusit kandidat. Proçesi i inetgrimit mbi të gjitha është i shqiptarëve”deklaroi Tabaku.Tabaku deklaroi se një pjesë voluminoze e progres-raportit të KE për Shqipërinë rrëzon pretendimet e Ramës për ekonomine.“Progres-raporti këtë vit ndryshe nga vitet e tjera do ketë parasysh dhe stabilitetin ekonomik. Progres-raporti njeh progresin dhe rritjen e ekonomisë në Shqipëri. Situata në Shqipëri nuk është kaq e zezë sa thuhet, njihet një rritje e eksporteve, remitancave, njihen lehtësirat në të bërit biznes, mbajtja e stabilitetit në investimet e huaja, ku rol kyç ka taksa e sheshtë. Pra ekziston kriteri ekonomik dhe 5 kriteret e tjera. Shqipëria krahasuar me vendet e tjera të rajonit, ka reaguar më mirë dhe ka mbajtur disa paramentra që kanë ndihmuar që ekonomia të vazdojë. Por sigurisht që kërkon nxitje, mbështetje. E gjithë kjo situatë alarmante lidhet me faktin se Kryeministri do të justifikojnë mosmbajtjen dot të premtimeve të bëra në fushatën elektorale. Në progres-raport përmendet një rënie në taksa gjatë ditëve të fundit, por kjo lidhet edhe me reduktimin e tyre.Shpresoj shumë që investorët e huaj të mos ndikohen nga ky alarm i Kryeministrit dhe të vazhdojnë të investojnë” përfundoi ajo.