Bajrami mund të falet edhe në kishë
Në mungesë të hapësirave për ceremonitë fetare, qofshin ato edhe për Kurban Bajram, Bashkësia Islame e Payerne, një qytezë në kantonin e Vaud-it (VD) i është drejtuar një kishe për të kërkuar hapësirë për faljen e Kurban Bajramit për komunitetin mysliman.Imami i Xhamisë së Madhe të Prishtinës, Shefqet Krasniqi, i pyetur se a bën apo nuk bën të falet Bajrami në Kishë, ka thënë se në kushte specifike, namazi i Bajramit mund të falet edhe në kishë.“Në esencë, bën të falet namazi i Bajramit në kishë, në kushte specifike. Edhe pse nuk është e pëlqyeshme, por nëse falet Bajrami në kishë nuk mund të themi se nuk pranohet. E them ketë me plot bindje se kisha është tokë e Allahut, vend i Allahut (xh.h) e Pejgamberi eljahiselam ka thënë: “Mua më është bërë toka xhami, kudo që ju zë koha faluni”. Prandaj, në çdo vend në tokë, me kusht që të jetë i pastër, bën të falet namazi, apo Bajrami”, ka thënë imami Krasniqi.Ndërkaq, imami i Gjenevës, Soufiane Mhedjiri, ka thënë se “islami nuk ua ndalon besimtarëve të betë të falen në kishë, me kusht nëse ata nuk kanë ndonjë hapësirë tjetër për ceremoni fetare dhe nëse ai lokal plotëson disa kritere – vendi të jete i pastër dhe të mos ketë statuja fetare”.Famullitari katolik zviceran, Dominique Voinçon, ka vendosur që këtë Kurban Bajram ta fal bashkërisht me myslimanet në Payerne, një qytezë në kantonin e Vaud-it (VD).“Unë jam ndikuar nga përvoja ime në një fshat në Burkina Faso. Myslimanët dhe të krishterët jetonin në harmoni dhe i festonin të gjitha festat fetare”, ka thënë famullitari katolik.