NATO: Të zbatohet pakti i Brukselit

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, ka thënë se Marrëveshja e 19 prillit, e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, duhet të vazhdojë të zbatohet. Këto komente Rasmussen i ka bërë në Dubrovnik të Kroacisë ku është duke u mbajtur sesioni vjetor i Asamblesë Parlamentare të NATO-s.Në këtë sesion po merr pjesë edhe një delegacion i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga nënkryetari Xhavit Hailiti.“Marrëveshja Beograd- Prishtinë paraqet një hap tjetër të rëndësishëm në normalizimin e raporteve në mes të këtyre dy vendeve. Zbatimi i kësaj marrëveshje duhet të vazhdojë. NATO dhe KFOR-i kanë një rol kyç në zbatimin e kësaj marrëveshje”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen gjatë fjalimit të tij.Ai ka deklaruar se qoftë në Kosovë, Libi apo në Afganistan forcat ushtarake të udhëhequra nga NATO-ja me aftësinë e tyre kanë mundësuar dhënien fund të dhunës dhe gjakderdhjes.Po ashtu forcat e NATO-s, sipas tij, kanë kontribuar në stabilitetin e këtyre vendeve.“Gjatë dekadës së fundit, Kroacia ka ecur përmes dyerve të hapura të NATO-s, siç kanë vepruar edhe Shqipëria dhe Sllovenia”, ka thënë Rasmussen.Në këtë kontekst, ai ka thënë se dyert e NATO-s janë të hapura edhe për Bosnjë Hercegovinën , Malin e Zi dhe ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, nëse ato demonstrojnë një vendosmëri të re për të tejkaluar mosmarrëveshjet e vjetra.