Zbogar dënon incidentin në veri
Përfaqësuesi Special i BE-së, njëherësh Shef i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, ka reaguar lidhur me shpërthimin e sotëm që ndodhi në veri të Mitrovicës.Ai e dënoi ashpër incidentin e sigurisë në Mitrovicën e veriut, duke thënë se ndjehet i shqetësuar me rritjen, kohëve të fundit, të incidenteve të ndërlidhura me zgjedhjet, në pjesën veriore e atë jugore të lumit Ibër.“Dua të apeloj për vetëpërmbajtje dhe tolerancë të veçantë në këtë kohë të ndjeshme. Rruga deri në zgjedhjet komunale të 3 nëntorit duhet të jetë pa kurrfarë lloji dhune, frikësimi, kërcënimi e shtrëngimi në mënyrë që të krijohen dhe të mbahen kushtet e duhura që njerëzit të shprehin dëshirën e tyre pa frikë, në një proces zgjedhor të drejtë, të lirë dhe gjithëpërfshirës”, ka thënë Zbogar.Bashkimi Evropian do të vazhdojë të përkrahë të gjitha përpjekjet për krijimin e një atmosfere të favorshme për shprehjen e lirë, prezantimin e të gjithë kandidatëve dhe të gjitha opsioneve politike. “Siguria personale mbetet prioriteti ynë i përgjithshëm, posaçërisht gjatë javëve në vazhdim”, u shpreh Zbogar.Mëngjesin e sotëm është hedhur në erë banesa e Nebojsha Mariç, ish-numrit dy të listës zgjedhore për komunën e Mitrovicës Veriore nga aradhet e Partisë Liberale Serbe-SLS.Sulmi ndaj pronës së familjes Mariç ka ndodhur rreth orës 4 të mëngjesit të së hënës, në kohën kur ai dhe bashkëshortja e tij ishin në gjumë, por asnjëri nuk është lënduar.Sekretari i përgjithshëm i SLS-së Petar Milletiç tha se sulmi ndaj kandidatit të tyre të dikurshëm është vazhdimësi e kërcënimeve që viktima ka marrë, arsye për të cilën ai ka kërkuar që të largohet nga lista zgjedhore.Nga shpërthimi i së hënës ka dëme të mëdha materiale, njofton policia. Zëvendëskomandanti i policisë për veriun e Kosovës, Besim Hoti tha se ende nuk janë gjetur motivet e sulmit, edhe pse nuk e përjashton mundësinë e një prapavije politike.Sipas të dhënave të Komisionit Qendror Zgjedhor, Nebojsha Mariç megjithatë vazhdon të figurojë në listën e SLS-së si kandidat i saj për asambleist në zgjedhjet e 3 nëntorit.