Opozita maqedonase nis nesër protestat kundër pushtetit
Opozita e bashkuar maqedonase shpalli sot zyrtarisht organizimin e protestave kundër pushtetit aktual, pas arrestimeve dhe fletëarresteve për zyrtarë të lartë të opozitës.Në një njoftim të opozitës që udhëhiqet nga partia Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM) theksohet se nesër në mesditë do të protestohet para selisë së Gjykatës Themelore Shkupi 1, për të shprehur revoltën kundër arrestimeve policore – politike.Opozita vlerëson se shpallaj e masës së paraburgimit për kryetarin e këshillit komunal të komunës Qendër, Miroslav Shipoviq është një tentim i qartë i pushtetit për të heshtur dhe për të penguar mosnxjerrjen e dokumenteve për kriminalitetin dhe korrupsionin për projektin “Shkupi 2014”, si dhe vepra tjera kriminale, në të cilat janë përfshirë struktura të larta të pushtetit.Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev sot në konferencën e mbajtur me gazetarët theksoi se me të gjitha mjetet demokratike do të ballafaqohen me agresionin e pushtetit, që sipas tij, po ndodhë gjatë viteve të fundit. Ai ka akuzuar rëndë pushtetin dhe kryeministrin Nikolla Gruevski për arrestimet e zyrtarëve të opozitës, duke përmendur rastin e kryetarit të këshillit komunal të komunës Qendër në Shkup.“Ne tani do të bëjmë hapat tonë të parë dhe reagimin tonë duke mos marrë pjesë në komisionin për implementimin e konkluzave për 24 dhjetorin, bojkotimi i seancave të para të këshillave komunale në tërë vendin. Presim që më në fund të mbretërojë arsyeja tek Gruevski, në të kundërtën ata do të mbajnë llogari dhe përgjegjësi për zhvillimin e ngjarjeve tjera në vend, si dhe rrënimin e imazhit të vendit në arenën ndërkombëtare”, deklaroi Zaev.Ai theksoi se nuk do të lejohet që kryeministri Gruevski dhe partia e tij të marrin me dhunë institucionale kontrollin ndaj komunës Qendër në Shkup, që udhëhiqet nga opozita, për të heshtur krimin e bërë gjatë realizimit të projektit shumëmilionësh “Shkupi 2014”.