KE publikon nesër raportet e progresit, Kosovës negociatat për MSA

Komisioni Evropian publikon nesër raportet e progresit për shtetet që synojnë anëtarësimin në BE, përfshirë edhe raportin për Kosovën. Komisioni Evropian pritet të rekomandojë për Kosovën dritën jeshile të fillimit të negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA). Negociatat pritet të fillojnë brenda këtij muaji dhe të përmbyllen në fund të verës së vitit 2014.Rasti i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit për Kosovën është i pari që nuk do të kërkojë ratifikim nga parlamentet e shteteve anëtare të BE-së, transmeton alsat-m njoftimin.Serbia nga ana tjetër, do të marrë rekomandimin për fillimin e bisedimeve, dhe pritet që në dhjetor, Këshilli i Ministrave të BE-së të vendosë që bisedimet me Serbinë të nisin në janar të vitit të ardhshëm.Mali i Zi, i cili po vijon procesin e negociatave të anëtarësimit, duhet të bëjë përpjekje më të mëdha në luftën kundër krimit dhe korrupsionit si dhe një qasje të re në politikëbërje.Për sa i përket Bosnjës, Komisioni do të kërkojë kompromis politik dhe qasje serioze në përmbushjen e disa kritereve; siç janë zgjidhja e çështjes së diskriminimit të minoriteteve kombëtare në procesin zgjedhor, si dhe krijimi i një mekanizëm të vetëm për të koordinuar marrëdhëniet me BE-në.Ndërkohë që për Maqedoninë nuk ka kritere të reja kushtëzuese. Duke qenë se Maqedonia ishte tashmë e vetëdijshme se nuk do të merrte datë, mund të konsiderohet fat që KE-ja është treguar zemërgjerë duke i dhënë të njëjtin vlerësim sikurse një vit më parë.“Paralelisht me negociatat, të zgjidhet edhe emri”-theksohet në raport. KE-ja theksoi serish Emrin por edhe krizën e brendshme, marrëveshjen politike të 1 marsit si dhe mediat, si çështje njolle për vendin drejt rrugës së integrimit. Megjithatë formulimi i saktë i rekomandimit për të cilin akoma po diskutohet në Komision, do të zbardhet nesër gjatë shpalosjes zyrtare së raportit të progresit, që do të lexohet nga vetë Komisioneri Evropian Shtefan Fyle.Në këtë prizëm, Brukseli do të theksojë gjithashtu se zgjidhja e çështjes së emrit është jetësore në procesin integrues të vendit. Përveç mungesës së gjetjes së një kompromisi me Greqinë, në kuadër të marrëdhënieve të mira ndër-fqinjësore, Brukseli do të konstatojë edhe mungesën e përmirësimit të marrëdhënieve të mira me Bullgarinë dhe mos firmosjen e marrëveshjes për fqinjësi të mirë.Nga ana tjetër zyrtarë të lartë të BE-së bënë të dituar se Brukseli është i gatshëm të ndërhyjë në procesin e zgjidhjes së çështjes së emrit, edhe pse bisedimet për këtë kontest po kryesohen nën patronazhin e OKB-së. Megjithatë, sipas Brukselit, për një gjë të tillë duhet të shprehin vullnet si Shkupi ashtu edhe Athina Zyrtare, sepse sipas BE-së, zgjidhja përfundimtare varet nga liderët në dy kryeqytetet.