Siguria në prag të zgjedhjeve, shtohen masat, kryesisht në veri
Ndërsa afrojnë zgjedhjet e 3 nëntorit në Kosovë dhe me shtimin e thirrjeve në veri për ta bojkotuar këtë proçes janë shtuar masat e sigurisë në të gjithë vendin, por kryesisht në veri. Zyrtarë të EULEX kanë bërë të ditur se në bashkëpunim me mekanizmat e tjerë, janë duke ofruar siguri.Zëdhënësi i këtij misioni, Blerim Krasniqi, ka sqruar se pjesëtarët e policisë ndërkombëtare, në veçanti, do të jenë të fokusuar në veri të Kosovës.“EULEX-i, në bashkëpunim të ngushtë me KFOR-in, do të mbështesë Policinë e Kosovës në ofrimin e sigurisë gjatë zgjedhjeve. Fokusi i EULEX-it do të jetë veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës. Për këtë arsye, EULEX-i do të rrisë praninë policore në veri”, thotë Krasniqi.Policia e Kosovës ka lëshuar urdhrin operativ për të gjitha drejtoritë rajonale dhe stacionet policore dhe është duke vepruar në bazë të atij urdhri.“Bazuar në planin policor, ne kemi ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme që të ofrojmë siguri për të gjithë qytetarët dhe për të gjithë pjesëmarrësit që mund të jenë të përfshirë në një mënyrë, apo një tjetër në procesin zgjedhor. Kjo siguri do të ofrohet edhe në pjesën e veriut të Mitrovicës. Atje kemi një bashkëpunim të mirë edhe me faktorin ndërkombëtar. Situata në përgjithësi është e qetë dhe plani, ashtu siç ka filluar së zbatuari faza e parë, tani kalimi në fazën e dytë dhe të tjera është duke shkuar ashtu siç ne e kemi paraparë. Ky plan, parash ofrim të sigurisë të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike në gjithë territorin e Kosovës”, tha zëdhënësi i Policë së Kosovës, Baki Kelani.Autoritetet policore të Kosovës kanë përsëritur se përgjegjësinë kryesore për sigurinë në veri e ka Policia e Kosovës, e mbështetur nga EULEX-i.Ndërsa, anëtarët e Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri, kanë deklaruar se autoritetet e rendit duhet të shtojnë masat e sigurisë, kryesisht në veri pasi mund të ketë tensione gjatë proçesit zgjedhor.