Doganat: Shkelje të rënda me akcizat, 118 mln lekë dëm “arkës” së shtetit
Drejtoria e Doganave publikon në faqen e saj zyrtare shkelje në fushën e zbatimit të ligjit 61/2012 "Për Akcizat në Republikën e Shqipërisë".Sipas njoftimit bëhet me dije se, Subjekti “Atllas” sh.p.k, me status të “magazinës fiskale”, ka asgjesuar në kundërshtim flagrant me Ligjin 61/2012 “Për Akcizat në Republikën e Shqipërisë” si dhe me VKM 612, date 05.09.2012 për dispozitat zbatuese të këtij ligji, 1850 ton melase (lende e parë për prodhimin e alkoolit) pa praninë dhe kontrollin e autoriteteve doganore.Lidhur me këtë veprim të kundraligjshëm mësohet se është marrë vendimi për pagesën 101.182.500 si detyrim akcize i munguar si dhe penaliteti përkatës. Ndërkohë është pezulluar stafi doganor përgjegjës për mbikqyrjen e magazinave fiskale si dhe po vazhdojnë hetimet për nxjerrjen e përgjegjesive administrative apo penale të tyre."Gjithashtu, me datë 09.10.2013, gjatë kontrollit të ushtruar nga strukturat e specializuara në fushën e akcizës të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave në magazinën fiskale të subjektit “Atllas” sh.p.k. u gjetën diferenca të theksuara midis deklarimit të subjektit dhe mallit fakt. Ndër të tjera, rezultoi se mbi 9300 litra alkool anhider janë hedhur për konsum në mënyrë të paligjshme duke shmangur detyrimin e akcizës në shumën 4.204.350 lekë Për këtë shkelje të dytë subjekti është penalizuar në shumën 16.871.400 lekë (detyrim i munguar dhe penalitet). Totali i penaliteteve për këto dy shkelje të konstatuara arrin në rreth 118 milion lekë", citon drejtoria e Doganave.Ndërkaq Drejtoria e Përgjithshme e Doganave garanton se mbetet e vendosur për të zbuluar dhe ndëshkuar çdo shkelje në fushën e doganave të cilat krahas dëmit që i shkaktojnë buxhetit të shtetit, cënojnë rëndë konkurencën e ndershme.