Kërpurdhat, Ministria e bujqësisë apel qytetarëve: Ndalni tregëtimin dhe konsumimin e tyre
Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, u bën apel gjithë banorëve të zonave të Burrelit të mos mbledhin më kërpudha në pyje e kullota dhe të mos i tregtojnë apo konsumojnë ato.Pas njoftimeve në media, lidhur me helmimin e disa personave nga konsumimi i kërpudhave, si dhe në përgjigje të kërkesës së drejtuar sot nga “Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit” lidhur me këtë çështje, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave sqaron se “kërpudhat me të cilat janë helmuar banorët në disa zona të Burrelit nuk janë industriale, por të rritura në gjendje natyrale. Bëhet fjalë për kërpudha të freskëta, që mblidhen nga banorë të zonave në pyje e kullota, të cilat mund të jenë helmuese dhe tregtohen pa asnjë certificate sigurie”.Sipas Ministrisë çdo mostër e këtyre kërpudhave duhet të dërgohet në laborator për analizë tek "Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë" përpara se ato të tregtohen, ose të merret këshilla e agronomëve të zonës.Ministri Panariti ka urdhëruar sot Agjencinë Kombëtare të Ushqimit, që të ndalojë menjëherë tregtimin e kërpudhave të freskëta që shiten në tregje në rang kombëtar. Të gjitha mostrat e kërpudhave të ndaluara, do të dërgohen në laboratorin e Institutit të Sigurisë Ushqimore e Veterinarisë.“Bëjmë edhe njëherë apel se askush nuk do lejohet të përfshijë në tregti me shumicë e pakicë kërpudha të freskëta, pa u pajisur më parë me certifikatën e origjinës dhe certifikatën e sigurisë” thekson Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave në njoftimin e lëshuar për mediat.