Bonino-Bashës: Gjithëpërfshirja, elementi që do të vlerësohet nga Brukseli
Ministrja e Jashtme e Italisë Emma Bonino i ka përcjellë sot kreut të opozitës Lulzim Basha mesazhin e Brukselit se parimi më i rëndësishëm që do të vlerësohet në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE është ai i gjithëpërfshirjes.Në një takim me kreun e PD-së, ministrja Bonino vlerësoi gijthashtu reformat dhe transformimin e Shqipërisë në këto vite. Duke iu referuar zgjedhjeve të 23 Qershorit ajo theksoi se mbarëvatja e tyre është një meritë e qeverisjes së Partisë Demokratike.Nga ana e tij, Basha e falënderoi znj. Bonino për kontributin e saj të çmuar në mbështetjen e Shqipërisë dhe shqiptarëve gjatë gjithë aktivitetit të gjerë politik.Gjatë bisedës u diskutua në lidhje me bashkëpunimin e ngushtë mes Shqipërisë dhe Italisë dhe mbështetjen thelbësore që Italia i ka dhënë integrimit të vendit në BE, anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, liberalizimit të vizave, dhe bashkëpunimin për projektet strategjike si Gazsjellësi-Trans-Adriatik.