Tiranë,78-vjeçarja e pastrehë refuzon ofertën e bashkisë për strehim
Bashkia e Tiranës i ka ofruar mundësi strehimi, të moshuarës Petrite Xhaferri e cila u nxorr nga banesa ku jetonte, pasi i është kthyer pronarit, por oferta është refuzuar nga e moshuara.Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Enno Bozdo i ka ofruar sot mundësi strehimi, të moshuarës por zonja Xhaferri dhe vajza e saj nuk i kanë pranuar ofertat e Bashkisë, pasi sipas tyre vendimi për t’i kthyer banesën ku jetonin pronarit, është i padrejtë.Nënkryetari i Bashkisë Bozdo ka ofruar gjithë mbështetjen e Bashkisë, brenda hapësirave që i lejon ligji, në këtë konflikt. Bashkia e Tiranës ka ofruar dhe ndihmën e Avokatit të Qytetit, për të sqaruar ligjërisht pretendimet e banorëve, se janë nxjerrë me të padrejtë nga banesat ku jetojnë.“Në emër të Bashkisë së Tiranës, jemi këtu për tu solidarizuar në mënyrë njerëzore me problemin e kësaj familjeje. Kemi të bëjmë me një konflikt, ku Bashkia e Tiranës nuk ka kompetencë për të ndërhyrë. Ajo për të cilën kam ardhur sot, ka të bëjë me faktin se duam t’u japim një zgjidhje brenda instrumenteve që ne kemi, një strehim të menjëhershëm, për shkak të kushteve të vështira edhe të motit dhe moshës së thyer të dy zonjave. Ne mund ta bëjmë këtë gjë, mund ta bëjmë që tani nëse zonjat do pranonin ofertën tonë. Ne u kemi vënë në dispozicion këtyre banorëve Avokatin e Qytetit, për t’u ofruar të gjithë ndihmën juridike të nevojshme, për të parë çështjen e dokumentacionit. Ligjërisht, vetëm kaq mund t’u ofrojë Bashkia e Tiranës, pasi ajo nuk ka një kompetencë për të vepruar. E kuptoj edhe emocionin e gjendjes dhe e theksoj edhe njëherë tjetër, nga ana njerëzore solidarizohem plotësisht me banorët por unë mendoj se mënyra më e mirë, deri në zgjidhjen e këtij problemi, që me siguri do të shkojë në Gjykatë, është që zonjat të pranojnë ofertën e Bashkisë, për t’u strehuar në një ambient të përshtatshëm për to” deklaroi nënkryetari i Bashkisë, Enno Bozdo.