Bonino: S`ka rrezik për TAP-in, projekti me rëndësi edhe për ne
Ministrja e jashtme italiane Emma Bonino është shprehur se nuk ka asnjë rrezik që Senati italian të mos e miratojë marrëveshjen trepalëshe Shqipëri-Itali-Greqi për projektin Trans Adriatik, gazsjellësin që transporton gazin azer në Europë.E pyetur për shtyrjen e votimit në Senat, gjatë një konference të përbashkët me kreun e Kuvendit Ilir Meta, Bonino është shprehur se gazesjellësit TAP është shumë i rëndësishëm edhe për vetë Italinë."S`ka anjë rrezik. Thjeshtë ishte një shtyrje në Senat për shkak të ndryshimeve në projekt. Gazësjellësi TAP edhe për ne është shumë i rëndësishëm” u shpreh ajo.Gjithashtu, ministrja Bonino theksoi se vizita e saj në Shqipëri ishte e gjerë ndërsa ka vlerësuar rolin e Kuvendit sa i përket integrimit dhe për përparimin e vendit."Kjo është një vizitë e gjerë e jo vetëm një takim me homologun tim shqiptar. Unë kisha një takim me kryeministrin, tani me kryetarin e Kuvendit dhe më pas do të zhvilloj një takim me gratë sipërmarrëse në Shqipëri e do takoj edhe sipërmarrësit. Jam e lumtuar që takova kreun e Parlamentit pasi ky institucion është shumë i rëndësishëm për integrimin dhe për përparimin e vendit" tha ajo.Ndërsa kryetari i Kuvendit Ilir Meta theksoi se marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve do të kenë një të ardhme të shkëlqyer për të bërë të mundur rimëkëmbjen."Ministrja Bonino është një personalitet shumë i njohur dhe besoj që vizita e saj në Tiranë do ti japë një shtytje të rëndësishme marrëdhënie mes dy vendeve dhe procesit të afrimit të Shqipërinë në planet europiane dhe ndërkombëtare. Marrëveshjet e partneritetit strategjik mes dy vendeve do të çojnë përpara marrëdhëniet tona dhe këto marrëdhënie do të kenë një të ardhme të shkëlqyer sidomos në aspektin ekonomik për të rimëkëmbur ekonomikë" tha Meta.