Venizelos për arrestimet në Agimin e Artë:Funksionim radikal të institucioneve
"Funksionim radikal të institucioneve në emër të demokracisë dhe të shtetit të së drejtës", e cilëson trajtimin e çështjes së “Agimit të Artë” zëvendës kryeministri grek dhe ministri i jashtëm, Evangelos Venizelos, duke përshëndetur aktivizimin e reflekseve të shtetit dhe të drejtësisë.Në një intervistë për gazetën “To Vima” dhe i pyetur nëse e befasoi apo e shqetësoi operimi në çështjen e Agimit të Artë, Venizelos thotë se kjo eshtë hera e parë në demokraci që kemi arrestim deputetësh për vepra në flagrancë, me një procedurë që është tërësisht gjyqësore, pa u përfshirë aspak parlamenti."Vrasja politike e një qytetari grek është një akt shokues. Mirëpo njëlloj shokuese janë edhe vrasjet e emigrantëve, aktet e dhunës, kërcënimet, dëmtimet trupore" thotë Venizelos duke paralajmeruar të çrrënjosë Agimin e Artë.Në një tjetër zhvillim politikanët grekë u paraqitën dje në Parlament për fillimin e sesionit të ri. 15 nga 18 deputetët e Agimit të Artë ishin në sallën e Parlamentit grek.Tre deputetë të tjerë vazhdojnë të jenë në burg, në pritje të gjykimit nën akuzat për drejtimin e një organizate kriminale. Nikos Mikaloliakos, Yiannis Lagos dhe Christos Pappas u arrestuan pas vrasjes me thikë të këngëtarit të majtë Pavlos Fyssas më 17 shtator. Ata janë deputetët e parë që burgosen që prej rënies së diktaturës ushtarake, e cila sundoi nga viti 1967 deri më 1974. Agimi i Artë flet hapur në favor të diktaturës.Dikur e panjohur, kjo parti ekstremiste është bërë tani partia e tretë më popullore në Greqinë e prekur rëndë nga depresioni, pavarësisht akuzave të shumta për sulme ndaj imigrantëve, kundërshtarëve politikë dhe homoseksualëve.