Takimi në Bruksel, Daçiç lejohet të vizitojë Kosovën
Pas takimit në Bruksel, dy kryeministrat, Thaçi dhe Daçiç, kanë deklaruar se ky ka qenë njëri nga takimet më të mira deri më tani. Është konfirmuar se zyrtarëve serbë, përfshirë edhe kryeministrin Dacic, do t’i lejohet vizita në Kosovë gjatë fushatës zgjedhore.Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi theksoi se takimi jep shpresë për sukses në zbatimin e standardeve dhe parimeve evropiane në marrëdhëniet Kosovë- Serbi. Ai tha se lufta e ftohtë ka përfunduar dhe Kosova është në favor të bashkëpunimit, fqinjësisë e lëvizjes së lirë.“Kosova do të respektojë marrëveshjen për lëvizjen e lirë, pa diskriminim”, ka thënë kryeministri Thaçi, duke shtuar se të gjithë zyrtarëve të Serbisë do t’iu lejohet ardhja në Kosovë nëse respektojnë procedurat zyrtare dhe bëjnë kërkesë në autoritetet kosovare.Edhe kryeministri serb Ivica Dacic e cilësoi takimin si një nga më të dobishmit në të cilin janë diskutuar siç tha disa çështje me rëndësi për të siguruar zgjedhje të mira për pushtetin komunal në Kosovë. Ai tha se kanë rënë dakort që çështja e vizitave të zyrtarëve serbë në Kosovë të zgjidhet dhe të hiqet nga tryeza e diskutimeve.Të dy kryeministrat kanë thënë se biseda ishte në kuadër të perspektivës evropiane që kanë të dyja vendet duke thënë se do të vazhdoj bashkëpunimi në frymën evropiane. Ata u bënë thirrje komunitetit serb që të marrë pjesë në votimet e 3 nëntorit.Ndërsa zyra e zonjës Ashton deklaroi shkurt se “takimi ishte i rëndësishëm dhe i dobishëm”, por pa dhënë asnjë hollësi tjetër.Kryeministrit serb Ivica Daçiç, i ishte refuzuar kërkesa që të premten që lamë pas, të qëndrojë në komunën e Shtërpcës në Kosovën jugore, një komunë me shumicë serbe për të marrë pjesë në hapjen e fushatës për zgjedhjet komunale në të cilat Beogradi mbështetë Nismën Qytetare Serbe.Në prill të këtij viti kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç arritën një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, që aspirojnë integrimin në Bashkimin Evropian. Marrëveshja parasheh edhe përfshirjen e komunave veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe për herë të parë në zgjedhjet për pushtetin komunal.Nga mbi 100 subjekte politike të regjistruara për të marrë pjesë në këto votime, tridhjetë syresh janë nga radhët e komunitetit serb. Pas zgjedhjeve të tre nëntorit, pritet krijimi i bashkësisë së komunave serbe që sipas marrëveshjes ndërmjet kryeministrave, do të ketë një shkallë të gjerë autonomie.