Obama letër Berishës: Shqipëria ka nevojë për një opozitë efektive
Presidenti i SHBA-së Barack Obama në një letër drejtuar ish-kryeministrit Sali Berisha vlerëson rolin dhe kontributin e tij për thellimin dhe forcimin e lidhjeve mes dy vendeve.Në letrën e tij drejtuar Berishës, presidenti amerikan rikonfirmon se Shqipqëia mbetet një aleate dhe mike e Shteteve të Bashkuara dhe të dyja vendet gëzojmë një partneritet të fortë në shumë fusha“Unë dua t'Ju falenderoj për mbështetjen Tuaj ndaj përpjekjeve tona në Afganistan dhe Siri si dhe për punën Tuaj në ruajtjen e stabilitetit në Ballkan. Do të doja gjithashtu të rikonfirmoj mirënjohjen time për bashkëpunimin e qeverise suaj në lehtësimin e transferimit të të burgosurve të Guantanamo Bay dhe banorëve te Hurriya Kamp. Këto janë çështje të rëndësishme dhe ne e vlerësojmë mbështetjen e fortë të Shqipërisë” shkruan Obama.Më tej presidenti Obama ka shprehur bindjen se ish-kryeministri Berisha do të japë kontibutin e tij edhe për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.“Ndërsa Ju kaloni në rolin Tuaj si një anëtar i rëndësishem i opozitës, unë e di se Ju do të mbeteni i angazhuar pozitivisht në proçesin e ndërtimit të kauzës së Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Shqipëria ka nevojë për një opozitë efektive dhe konstruktive që fokusohet në zhvillimet e vendit dhe punon me qeverinë e re për të prodhuar rezultate të prekshme për popullin shqiptar. Me lejoni t'Ju bëj urimet e mia më të mira për sukses të madh dhe lumturi në të gjitha përpjekjet tuaja në të ardhmen” përfundon letra e presidentit Obama.