Fondi Shqiptaro-Amerikan, Granoff takon Bashën: Projekte për Tiranën

Kryebashkiaku Basha është takuar sot me anëtarët e  bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve dhe kryetarin e tij, Michael Granoff.  Shtrirja e bashkëpunimit në fusha me interes të veçantë për Bashkinë e Tiranës, si nxitja e zhvillimit ekonomik dhe mundësive për punësim kanë qenë në qendër të bisedës. Kreu i Bashkisë ka bërë një prezantim të hapave të ndërmarra nga Bashkia e Tiranës në këtë drejtim, si përmirësimi i klimës së biznesit, reduktimi i barrës fiskale dhe fondi i garancive për të mbështetur të rinjtë deri në moshën 35 vjeç, që duan të nisin një biznes apo të forcojnë atë ekzistues.

 “Sot pritëm në Bashkinë e Tiranës, bordin e Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve që është njëkohësisht edhe bordi i Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për zhvillim, dy njësi të cilat kanë një kontribut të hershëm dhe shumë pozitiv për Shqipërinë dhe Tiranën. Diskutuam për thellimin e bashkëpunimit midis Bashkisë së Tiranës dhe Fondacionit, në fusha me rëndësi të veçantë për prioritetet tona dhe qytetarëve të Tiranës, siç është zhvillimi ekonomik dhe shanset për punësim si dhe për një sërë projektesh të tjera të Fondit dhe Fondacionit të cilat përbëjnë pa dyshim dy shembuj shumë frymëzues, jo vetëm për njësi të ngjashme që kanë operuar apo vazhdojnë të operojnë në Shqipëri, nga donatorë europianë dhe euro-atlantikë por edhe për vetë shoqërinë shqiptare, botën e biznesit dhe organizime të ngjashme, qëllimi i të cilëve është i njëjtë me ato të Fondit dhe Fondacionit dhe është zhvillimi, mirëqënia dhe konsolidimi i vlerave të një shoqërie të lirë dhe demokratike”- deklaroi kryetari i Bashkisë Lulzim Basha.

Kryetari i bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan, Michael Granoff ka theksuar se përmes partneritetit shumë të mirë që ekziston mes Fondit e qeverisjes në nivel qëndror dhe lokal janë hedhur hapa të rëndësishëm, në përmirësimin e jetës për mjaft qytetarë shqiptarë. Me mjaft rëndësi në suksesin e projekteve të Fondit Shqiptaro-Amerikan, Granoff ka vlerësuar partneritetin me z. Basha.

 “Është kënaqësi e bordit që zhvillon sot këtë takim me ju dhe të dëgjojë lidhur me progresin që ka bërë qyteti si dhe t’ju raportojë ju mbi progresin e bërë nga Fondacioni dhe Fondi. Në një farë mënyre, gjatë takimit, z. kryetar i Bashkisë foli mbi dëshirat për vitin e ri dhe në një farë mënyre ne po mendojmë për gjërat që mund të bëjmë në ndërtimin e një Shqipërie më të mirë në të ardhmen. Një nga pikat kyçe të suksesit të Fondit dhe Fondacionit, besoj unë, ka qenë krijimi i partneriteteve shumë të mira me të gjitha qeveritë shqiptare, si me opozitën dhe mazhorancën e po ashtu në nivel qëndror dhe lokal. Besoj se udhëtimi ynë deri më tani ka treguar se duke bërë partneritete të mira në nivel qëndror dhe lokal, ne mund të arrijmë më tepër në përmirësimin e jetës së shqiptarëve dhe Shqipërisë. Besoj se duke parë edhe përvojat e progresin e Fondeve dhe Fondacioneve të tjera në Evropë, mendoj se me anë të këtyre partneriteteve, ne kemi pasur mundësinë të jemi shumë të suksesshëm dhe jam i kënaqur që të kthehemi përsëri pas një viti dhe të raportojmë mbi progresin e sukseset e arritura. Po ashtu, me mjaft rëndësi në këtë pikë është edhe partneriteti me Z. Basha”- deklaroi kryetari i Bordit të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve, Michael Granoff.