Kodheli merr pjesë në Ministerialin e Mbrojtjes SHBA-Kartë e Adriatikut
Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli mori pjesë në Ministerialin e Mbrojtjes SHBA - Kartë e Adriatikut (A 5), që u mbajt në Brdo, Slloveni, në kuadër të Ministerialit Gjithëpërfshirës të Rajonit 2013 (Comprehensive Regional Ministerial). Punimet e Ministerialit u hapën nga ministri malazez i Mbrojtjes z. Milica Pejanoviç.Ministrat e Mbrojtjes të vendeve pjesëmarrëse në këtë Ministerial konfirmuan edhe njëherë rëndësinë e procesit të integrimit Euro-Atlantik për forcimin e stabilitetit dhe sigurisë në vendet e Evropës Juglindore. Duke marrë në konsideratë rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet vendeve anëtare të kësaj iniciative në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, takimi ishte një rast i mirë për të diskutuar rreth sfidave globale të sigurisë, me të cilat po përballen vendet tona.Në takim iu kushtua një rëndësi e veçantë rolit të Shqipërisë, Kroacisë dhe SHBA, si vende anëtare të NATO, në mbështetjen që po i japin vendeve të tjera pjesëmarrëse në këtë iniciativë në procesin e integrimit në NATO apo struktura të tjera rajonale.Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë Mimi Kodheli, gjatë fjalës së saj, u shpreh se Shqipëria prej një kohe të gjatë është e angazhuar në Afganistan dhe do të vazhdojë të kontribuojë, duke bashkëpunuar ngushtë me vendet e tjera për të mbështetur akoma më shumë qeverinë afgane në forcimin e sigurisë dhe rimëkëmbjen e institucioneve. Ministrja Kodheli garantoi se Shqipëria do të jetë pjesë e nismave të ndërmarra nga A-5 për të ndihmuar Afganistanin në fushat e këshillimit ushtarak, policinë ushtarake, si dhe trajtimin mjekësor. Gjithashtu, ministrja Kodheli diskutoi në lidhje me projektet e ndërmarra në kuadër të kësaj iniciative, si mekanizëm praktik i bashkëpunimit rajonal.Në vijim të fjalës së saj, ministrja Kodheli theksoi se bashkëpunimi rajonal duhet të orientohet në konceptin e "Smart Defence", si dhe në përdorimin e aseteve të përbashkëta të mbrojtjes, në rast nevoje. Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë ofroi kontributin e saj në bashkëpunimin rajonal dhe ftoi vendet anëtare të A-5, por dhe vende të tjera të rajonit, të ndjekin kurse në Qendrën e Gjuhëve të Huaja apo Kursin e Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes në Shqipëri, duke nënvizuar se numri i pjesëmarrëseve ndërkombëtar në këtë kurs, për vitin 2013, është rritur ndjeshëm. Ministrja Kodheli i cilësoi stërvitjet e përbashkëta si një mjet i mirë për të rritur e forcuar më tej bashkëpunimin ushtarak në rajon e më gjerë, duke përmendur sidomos stërvitjen e përbashkët të organizuar në vendin tonë në vitin 2013. Shqipëria, - tha më tej ministrja Kodheli, - po përgatitet të organizojë përsëri këtë stërvitje dhe për vitin 2015, në të cilën janë ftuar të marrin pjesë vendet e A 5, por dhe vende të tjera.Shqipëria në vitin 2014 do të marrë Presidencën e radhës të Iniciativës së SHBA-Karta e Adriatikut (A 5). Kjo është hera e parë që Presidenca merret për një periudhë 1 vjeçare, pasi deri më tani ndahej ndërmjet shteteve çdo 6 muaj.