Homazhe për Drita Pelingun, aktorja u nda nga jeta në moshën 87-vjeçare

Aktorja e mirënjohur Drita Pelingu ka marrë lamtumirën e fundit në Teatrin Kombëtar, aty ky ajo kaloi pjesën më të madhe të jetës.Në nderim të figurës së saj, miq, të afërm, kolegë dhe artëdashës, për rreth dy orë kanë  bërë homazhe për artisten e merituar. Kolegët më të afërt të saj, Margarita Xhepa dhe Mirush Kabashi e kanë vlerësuar Drita Pelingun jo vetëm si një artiste të madhe por edhe si një njeri me zemër të madhe.Ndërkohë edhe përfaqësues të politikës kanë shprehur nderimet e tyre dhe dhimbjen për humbjen e aktores Drita Pelingu.Për kontributin e saj të rëndësishëm në pasurimin e artit shqiptar, ajo është vlerësuar edhe me çmime të shumta, ndër të cilat "Çmimi i Karrierës", çmimi " Ismail Qemali" si dhe titujt "Mjeshtre e madhe" dhe "Nderi i Kombit", akorduar nga Presidenti i Republikës. Në qytetin e saj të lindjes, Vlorë, ajo është çmuar së fundmi edhe si Qytetare Nderi.Ndër rolet më të spikatura ja vlen të përmenden ai i hallës te “Njeriu me Top”, roli i Budës në filmin " Kur hidheshin themelet", Roli i Mbretëreshës tek "Hamleti" dhe ai i Kornelias tek "Mbreti Lir" në teatër e shumë të tjerë.

Basha: “Vepra e Pelingut, frymëzuese për breza të tërë artistësh”

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka bërë sot homazhe, për nder të Artistes së Merituar, Drita Pelingu. Zoti Basha tha se vepra që la pas artistja, regjisorja  dhe pedagogia Drita Pelingu do të frymëzojë breza të tërë artistësh edhe në të ardhmen.

 “Qytetarët e Tiranës dhe mbarë shqiptarët ndahen sot nga një bashkëqytetare, e cila ka një domethënie të madhe për identitetin e shumë brezave, për kulturën dhe artin shqiptar. Sot, dua t’i shpreh ngushëllimet e mia, por edhe në emër të qytetarëve të Tiranës, familjarëve të artistes, regjisores, pedagoges së artit Drita Pelingu si dhe komunitetit të artistëve shqiptarë, që sot ndahen nga një kontribuese e palodhur dhe që la mbresa të thella në artin skenografik shqiptar, në kujtesën e shumë brezave, të publikut dhe të artdashësve shqiptarë. Galeria e qindra personazheve që ajo i bëri të dashur, të pranishëm dhe të pashlyer nga kujtesa dhe arkivi historik i artit shqiptar, nga kujtesa e qytetarëve shqiptarë do ta shoqërojnë përgjithmonë emrin dhe veprën e saj. Tek ndahemi sot fizikisht nga ajo, një gjë është e sigurt. Vepra, arti, frymëzimi që la pas do të vazhdojë të frymëzojë breza të tërë artistësh dhe të jetë pjesë e identitetit qytetar dhe artistik të çdo shqiptari” - u shpreh pas homazheve kryebashkiaku Basha.