“Agimi i Artë”, para gjykatës, në pranga kreu dhe 4 deputetë
Në orët e pasdites janë shoqëruar në kushte të rrepta sigurie, drejtues të Agimit të Artë, të arrestuar gjatë mëngjesit të sotëm nga policia greke.Atyre pritet t’u komunikohet masa e sigurisë, ndërkohë që mësohet se akuzohen për organizim dhe përfshirje në organizatë kriminale.Policia greke ndërmori një operacion masiv në orët e para të ditës së sotme duke prangosur disa prej drejtuesve të partisë neonaziste “Agimi i Artë”.Mediat greke njoftojnë se në pranga ka përfunduar sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Nikos Mihaloliakos dhe deputeti Ilias Kasidiaris.Policia ka kryer më shumë se dhjetë arrestime të tjera, mes të cilëve ndodhen edhe drejtues të organizatës lokale në Nikea, që dyshohet se janë implikuar në vrasjen e këngëtarit Pavlos Fyssas.Gjithashtu, mësohet se urdhra arresti janë lëshuar për 32 drejtues të Agimit të Artë, mes të cilëve deputetët Kristos Papas, Janis Lagos, Nikos Mihos dhe Ilias Panajotaros. Ky i fundit u dorëzua vetë në drejtorinë e përgjithshme të Policisë.“Demokracia i ka institucionet për mbrojtjen e saj. Drejtësia të bëjë punën e vet”, theksoi zëdhënësi i qeverisë, Simos Kedikoglu, pas arrestimit të deputetëve dhe drejtuesve të Agimit të Artë.Arrestimet mbërritën pas lëshimit nga ana e prokurorëve të 36 urdher arresteve për drejtues dhe aktivistë të partisë së ekstremit të djathtë. Akuzat që rëndojnë ndaj tyre janë organizimi dhe përfshirja në organizatë kriminale.Ky zhvillim i ri ndodh në momentin më kulmor të një hetimi ligjor që ka filluar në Greqi me kërkesë të qeverisë, për akte të mundshme kriminale nga kjo parti neonaziste.Në këtë hetim përfshihen edhe lidhjet e kësaj force politike me anëtarë të policisë greke, ndërsa sindikalistët e forcave policore përpiqen t’i hedhin fajin qeverisë për dështimin e luftës ndaj neonazistëve.Një ditë më parë shefi i departamentit të Kundërspiunazhit grek, i cili kishte edhe përgjegjësinë e hetimeve të veprimtarisë së Agimit të Artë është shkarkuar nga detyra pasi është zbuluar se është i afërmi i një prej deputetëve të kësaj partie.Gjithashtu, emri i tij është përfolur edhe gjatë një hetimi tjetër për çështjen e rrëmbimit të disa emigrantëve nga Pakistani disa vite më parë.“Ata duan që përgjegjësitë dhe fajin për gabimet dhe të metat e sistemit politik që ka lejuar të fuqizohet Agimi i Artë t’i hedhin mbi kurrizin e punonjësve të policisë”, deklaroi Nikolaos Rigas, sekretar i përgjithshëm i Sindikatës së Policisë.Me një retorikë nacionaliste, duke kundërshtuar masat ekstreme të kreditorëve të Greqisë, duke shpërndarë ushqime falas vetëm për grekët e varfër dhe duke ushtruar dhunë mbi emigrantët, Agimi i Artë u bë forca e tretë politike në vend. Por disa ditë pas vrasjes së muzikantit grek antifashist Pavlos Fissas nga një anëtar i kësaj partie, ajo ka humbur të paktën 40 për qind të mbështetësve në sondazhet e fundit.