Kosovë, vijojnë hetimet për vrasjen e doganierit të EULEX-it

Policia e Kosovës dhe EULEX-i kanë përveshur mëngët për të mbledhur informacione rreth rastit të vrasjes së oficerit lituanez, Audrius Sevanicius. Në një njoftim të EULEX-it, theksohet  se në bashkëpunim me policinë e Kosovës do të shkojnë derë më derë, për të pyetur qytetarët nëse ata kanë ndonjë informacion rreth ngjarjes.Njoftimi thotë se policia do të shpërndajë një fletëpalosje, ku do t'iu bëhet apel qytetarëve që të kenë guxim për të ofruar informacione nëse kanë, rreth vrasjes."Është kjo një praktikë standarde e praktikave policore  dhe  shpresojnë se dikush mund të ketë parë diçka, dhe se dikush do të thotë diçka", theksohet në njoftimin e EULEX-it.Një pjesëtar i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit u vra javën e kaluar në veriun e Kosovës me shumicë serbe. Ky është rasti i parë që një pjesëtar i misionit të BE-së humb jetën që nga vendosja e tij në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë e cila vazhdon të kundërshtohet nga Beogradi dhe serbët në veri.Misioni i Bashkimit Europian, EULEX zbarkoi në Kosovë në vitin 2009 me qëllim që të forcojë rendin dhe ligjin në Kosovën e saposhpallur shtet të pavarur.Vrasja e oficerit nga Lituania është ngjarja më e rëndë që prej fillimit të misionit dhe vjen në kohën kur BE-ja është angazhuar fort në normalizimin e situatës mes Kosovës dhe Serbisë, në veçanti në veri të Kosovës ku Serbia ende i ka të shtrira strukturat e saj.