Vrasja e doganierit, Borchard: Një motiv më shumë për vendosjen e rendit dhe ligjit

Vrasja e doganierit lituanez në veri të Kosovës, para disa ditësh, do të jetë motiv shtesë që EULEX-i, bashkë me institucionet e vendit, të punojë edhe më shumë në vendosjen e rendit dhe ligjit edhe në atë pjesë të Kosovës. Kështu ka thënë Shefi i Misionit të EULEX-it në Kosovë, Bernd Borchard, pas takimit të Bordit të Përbashkët Bashkërendues për Sundimin e Rendit dhe Ligjit.Borchard ka thënë se takimi i tyre ka ndodhur pas një momenti tragjik për EULEX-in, për shkak të vrasjes së një pjesëtari të tyre. Ai ka thënë se ky rast tragjik vetëm sa do t’i përforcoj qëndrimet e tyre, për të përforcuar sundimin e rendit dhe ligjit në pjesën veriore të Kosovës.“Së pari kjo vrasje është një ngjarje tragjike, për kolegët që kanë punuar, për mua dhe për të gjitha strukturat edhe në Bruksel. Ne shpresojmë që ky do të jetë edhe një inkurajim që ne të gjejmë zgjidhje edhe me të mira për themelimin dhe konfirmimin e sundimit të ligjit në veri të Kosovës. Diskutimet do të jenë të vazhdueshme sa i përket kësaj. Në anën tjetër, si rezultat të marrëveshjes së 19 prillit kemi strukturë policore të Kosovës shumë më të fortë dhe kemi vërejtur një nivel shumë më të lartë të Policisë së Kosovës me kolegët tanë”, ka thënë Borchard.Ky takim në të cilin kanë marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, ka pasur për qëllim prezantimin e marrëveshjes së kompaktit dhe ka qenë e para kësisoj, në kontekst me të gjerë. Për këtë, Borchard ka pohuar se Kosova dhe familja e BE-së kanë themeluar një marrëdhënie ku kanë një sërë mjetesh që janë në dispozicion për të ndihmuar në këtë proces. Marrëveshja kompakte ka të bëjë më sundimin e ligjit por gjithashtu edhe procese të tjera që janë drejtë integrimit evropiane, MSA-ja dhe liberalizimi i vizave. Sipas Borchard, dokumenti, gjithashtu, ka vënë në pah arritjet e institucioneve të Kosovës pasi është bërë shumë gjatë dhjetë muajve të kaluar.Ndërsa, në anën tjetër edhe Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi e ka dënuar aktin e vrasjes së policit të EULEX-it, duke thënë se ky rast është një motiv shtesë që të punojnë dhe të angazhohen për ruajtjen e rendit dhe ligjit dhe duhet të vihen para drejtësisë të gjithë ata që bëjnë shkelje të tilla. Kuçi ka pohuar se Qeveria e Kosovës do ta jap gjithë maksimumin për ta zbuluar këtë rast dhe për të ndaluar ngjarje të tjera.“Më lejoni të theksoj se patëm një debat konstruktiv, treguam një përkushtim të theksuar të të gjithë aktorëve në Kosovë për vendosjen e rendit dhe ligjit. Është një frymë e mirë e bashkëpunimit në mes të EULEX-it dhe institucioneve tona, përveç sundimit të ligjit edhe qëllim të kryerjes së obligimeve për integrim evropian. Ne konstatuam edhe gjendjen aktuale të shumë institucioneve në Kosovë veçanërisht aty ku kemi kompetenca të përbashkëta me EULEX-in, ngritjen e kapaciteteve tona dhe zvogëlimin gradual të kapaciteteve të EULEX-it në Kosovë”, ka thënë Kuçi.Ndërsa, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, është shprehur se gjatë diskutimeve të tyre është vënë në pah nevoja për të bashkëpunuar edhe më shumë për t’i luftuar uzurpimin e paligjshëm të pronave.“Nga ana ime, si përfaqësues i BE-së, jo vetëm bartës të proceseve të ndryshme të BE-së por do të mbështesim EULEX-in dhe institucionet e Kosovës për veprimet që do t’i marrin për përforcimin e rendit dhe ligjit në Kosovë. Gjithashtu, kemi diskutuar projektet që kanë të bëjnë me departamentit e mjekësisë ligjore, pastaj projektin për të ndërtuar një burg të sigurisë së lartë, programit të mbrojtjes së dëshmitarëve dhe ky është një bashkëpunim i mirë se si mund të bashkëpunojmë”, ka thënë Zbogar.Po ashtu, pas këtij takimi, Borchard dhe Kuçi janë përgjigjur edhe rreth çështjes së përfundimit të mandatit të EULEX-it në qershor të vitit 2014, dhe nëse Kosova ka kapacitete për të gjykuar krimet e luftës dhe krimet e rënda, të korrupsionit apo krimit dhe terrorizmit.Borchard, rreth kësaj, ka thënë se Bordi nuk ka diskutuar konkretisht për çështje specifike, por qëllimi i këtij diskutimi është se si mund që deri në fund të këtij mandati të ndihmojnë në zhvillimin e institucioneve sa më shumë, qoftë ajo në teren duke gjykuar krimet e luftës, apo në fusha të tjera që kanë të bëjnë më uzurpimin e paligjshëm të pronës, çështjen e privatizimit, por edhe fusha tjera.Ndërsa, Ministri Kuçi, rreth kësaj ka pohuar se Kosova është e gatshme për të udhëhequr me vetën, por qëllim i gjithëve është që t’i ngrisin kapacitetet dhe Kosova të jetë e aftë të ushtroj sovranitetin e plotë. Ai ka pohuar se në këtë drejtim do të bashkëpunojnë për aq sa është EULEX-i në Kosovë dhe se secili prej tyre do ta jap kontributin e veçantë për ngritjen e këtyre kapaciteteve, pasi Kosova punon shumë që t’i ngrit kapacitetet e veta, dhe t’i zvogëloj ato të EULEX-it në Kosovë, në mënyrë që të mos bëjnë veprime që do të lënë hendek në Kosovë, por as gjëra që janë të tejzgjatura.