Mediat në Kosovë: Raporti i Progresit “vulos” regresin
Raporti Progresi i Komisionit Evropian për Kosovën, i cili parashikohet të publikohet në mes të muajit të ardhshëm, edhe sivjet pritet t’i konfirmojë dështimet e institucioneve të shtetit në shumë fusha.Kështu të paktën besojnë drejtuesit e partive politike dhe pjesëtarët e shoqërisë civile, sipas të cilëve, dokumenti i Komisionit Evropian nuk do të dallojë pothuajse aspak nga ato të viteve të kaluara, të cilat qenë cilësuar si raporte të regresit, dhe jo progresit, shkruajnë mediat në Kosovë.Në fakt, periudha kohore për të cilën hartohet raporti që do të prezantohet me 16 tetor nuk ka qenë aq “i pastër” në raport me skandalet që kanë të bëjnë me korrupsionin, krimin e organizuar, si dhe shkelje të ligjeve, të gjitha veçori që trajtohen një nga një në Raportin e Progresit.Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar për “Zërin” se bazuar në skandalet që e kanë përcjellë ekzekutivin kosovar, dhe institucionet e tjera, gjatë një viti, është e kotë të pritet që Raporti i Komisionit Evropian do të jetë më i mirë sesa ai i vitit të kaluar.