Kosovë, 100 vëzhgues të BE-së në zgjedhjet lokale

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Qeveria e Kosovës,  ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Bashkimin Evropian, lidhur me Zgjedhjet Lokale, të cilat do të mbahen me 3 nëntor.  Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, me këtë rast tha se prania e vëzhguesve ndërkombëtar në zgjedhjet lokale, ka rëndësi të veçantë për Kosovën.“Me ftesën e presidentes së Republikës së Kosovës dhe me ftesën e Qeverisë, Kuvendit dhe KQZ-së është kërkuar nga BE që të kemi vëzhgues në Kosovë në zgjedhjet lokale 2013. Dhe zyra e BE-së, ka pranuar këtë ftesë me kënaqësi. Kështu që ne do të kemi për herë të parë vëzhgues ndërkombëtar në zgjedhjet lokale 2013, edhe pse BE nuk vëzhgon zgjedhjet lokale. Kjo është me një rëndësi të posaçme për neve, sikur edhe për tërë Kosovën. Shpresoj që gjatë këtyre vëzhgimeve, nuk do të ketë çka të vëzhgohet dhe raporti i cili do të shkojë nga Kosova, në ditën e zgjedhjeve do të jetë pozitiv”, tha Daka,Përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel  Zhbogar tha se këto zgjedhje janë të veçanta, pasi që BE do t'i dërgoj mbi 100 vëzhgues, me qëllim që të ketë zgjedhje të  lira  dhe demokratike"Këto zgjedhje janë të veçanta, janë komunale por kanë rëndësi të madhe, pasi që për herë të parë BE-ja do të vëzhgojë zgjedhjet lokale. Për herë të parë do të kemi një mision të vëzhgimit. Presidentja e ka dërguar ftesën dhe se kjo ftesë është përkrahur dhe nga pozita opozita dhe shoqëria civile, që ne të dërgojmë vëzhgues, që të mos përsëriten problemet. Me 3 nëntor, do ta kemi një mision të vëzhguesve dhe se javën e ardhshme do të arrijnë vëzhguesit e parë. Ky mision do të ketë mbi 100 vëzhgues” pohoi Zbogar.