Tubim anti-zgjedhor në veri të Mitrovicës

Qindra pjesëtarë të komunitetit serb në veri të Mitrovicës, kanë protestuar kundër zgjedhjeve lokale në Kosovë. Protesta u organizua nga përfaqësuesit e të ashtuquajturit "Kuvend i përkohshëm i krahinës autonome të Kosovës", një mekanizëm i krijuar tre muaj më parë me gjithë kundërshtimet edhe të Beogradit zyrtar.Ata që morën fjalën në këtë protestë deklaruan se zgjedhjet e tre nëntorit, janë të papranueshme dhe të paligjshme për ta, meqë ato janë zgjedhje të shtetit të Kosovës që ata nuk e njohin, ndërsa bënë thirrje për bojkotimin e tyre. Protesta është mbajtur me moton "Stop zgjedhjeve separatiste".Liderët serbë të katër komunave në veri, i kanë kërkuar ministrit serb, Aleksandër Vulin, të japë dorëheqje. Ata deklaruan se Beogradi po përpiqet t'i mashtrojë serbët e veriut për të dalë në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit në Kosovë.Ndryshe nga protestat e deritashme në veri të Mitrovicës, ku mblidheshin numër i madh i protestuesve, kësaj radhe ata kanë qenë vetëm disa qindra, ndërkohë që edhe prania e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, nuk ka qenë e sforcuar.Sivjet për herë të parë pritet që zgjedhjet lokale të mbahen edhe në veriun e Kosovës, banuar me shumicë serbe. Në KQZ janë regjistruar 18 subjekte politike nga radhët e komunitetit serb për të marrë pjesë në votime.Pjesëmarrja e këtyre komunave në zgjedhje ishte pjesë e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të arritur në bisedimet ndërmjet kryeministrave të të dyja vendeve, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç. Sipas marrëveshjes, pas zgjedhjeve në veri do të krijohet bashkësia e komunave serbe, e cila do të gëzojë një shkallë të gjerë autonomie.