Ambasadori Lu: SHBA ka nevojë për aleatë si Shqipëria
Donald Lu, i emëruari i Presidentit Barak Obama në postin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri deklaroi gjatë seancës së dëshmive në Nënkomisionin e Senatit për Çështjet Evropiane se Shqipëria është jë aleat i rëndësishëm i Shteteve të Bashkuara.“Në një botë me rreziqe të vazhdueshme dhe pasiguri, Shtetet e Bashkuara kanë më shumë nevojë për aleatë të shkëlqyer si Shqipëria” ka theksuar Lu.Ambasadori Lu tha se përparësitë e tij do të jenë ndihma për forcimin e institucioneve demokratike të Shqipërisë, mbështetja e forcave të armatosura shqiptare që të ngrihen në nivelin e aleatëve të NATO-s dhe nxitja e investimeve amerikane.Ambasadori amerikan vlerësoi edhe zgjedhjet e fundit parlamentare në Shqipëri.“Zgjedhjet ishin më të mirat që ka zhvilluar Shqipëria ndonjëherë, pati një kalim paqësor pushteti, por demokracia nuk është vetëm zgjedhje. Ne do të nxisim udhëheqësit e të dyja palëve të luftojnë krimin e organizuar, trafiqet dhe korrupsionin. Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të mbështesin zërin në rritje të shoqërisë civile, mbrojten e të drejtave të pakicave, pavarësinë e gjyqësorit dhe përgjegjshmërinë e politikanëve” ka theksuar ai.Shtetet e Bashkuara tha diplomati amerikan i mbështesin plotësisht synimet e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.“Ekonomia e Shqipërisë ka patur rritje të madhe gjatë viteve, por ashtu si edhe ekonomitë e shumë vendeve të tjera aleate, ajo ka mbetur në vend gjatë dy viteve të fundit. Dy janë mundësitë më të mëdha për rimëkëmbjen e saj: së pari, aftësia e Shqipërisë për të ndërmarrë reforma të rëndësishme ekonomike, për të krijuar një atmosferë më të shëndetshme për bizneset, dhe së dyti, forcimi i partneriteteve ekonomike të Shqipërisë me Europën dhe Shtetet e Bashkuara”.“Për një vend të vogël prej vetëm 3 milionësh, tha ai, Shqipëria pa dyshim jep një kontribut të madh për madhësinë e saj dhe Shtetet e Bashkuara duhet ta mbështesin atë të modernizojnë forcat e saj të armatosura që të plotësosjnë standardet e një vendi aleat të NATO-s. Në të njejtën kohë ne duhet të ndihmojmë Shqipërinë të luftojë korrupsionin dhe përgjegjshmërinë brenda ushtrisë që ajo të plotësojë standardet më të larta të një aleati të NATO-s” ka theksuar ai.Donald Lu është diplomat karriere dhe për më shumë se dy dekada ai ka shërbyer në Departamentin e Shtetit, duke punuar në demokracitë e reja të dala nga ish vendet e Bashkimit Sovjetik dhe të Evropës Lindore.